Blushi: “Rama zgjedh kandidatë besnikë për krerët e PS-së në rrethe”
Eneida Jaçaj
Deputeti i Lëvizjes për Mendimin Ndryshe në Partinë Socialiste, Ben Blushi, e ka akuzuar kryesocialistin Edi Rama se ka përfshirë në listën për krerët e PS-së në rrethe kandidatë besnikë të tij. Ai e ka konsideruar arbitrar vendimin e marrë nga Kryesia e Partisë Socialiste për të përjashtuar më shumë se gjysmën e kandidatëve socialistë (rreth 100), të propozuar nga baza e partisë për zgjedhjet për kryetarë të degëve në rrethe të PS-së. Ndërkaq, Blushi e ka kritikuar Ramën edhe për vendimin e bojkotit të zgjedhjeve vendore. Dy kundërshtarët politikë, Rama dhe Blushi, kanë kaluar me debat mbledhjen e Kryesisë së PS-së për krerët e rretheve. Referuar pikërisht faktit se emri i Blushit nuk ishte zgjedhur si i deleguar, por në vend të tij ishte përzgjedhur ish-kandidati për postin e kryetarit të PS-së, Maqo Lakrori, mësohet se deputeti Blushi e ka vlerësuar një përzgjedhje të tillë si një shmangie të përfaqësuesve të mendimit ndryshe. Kjo, pasi asnjë prej deputetëve të PS-së, të njohur si kundërshtarë të kryetarit Rama, nuk ishin pjesë e listës së të deleguarve në rrethe, ashtu sikundër nuk u thirrën për të dhënë mendimin e tyre për kandidaturat për postin e kryetarëve të rrethit. Por, një qëndrim i tillë nuk ka gjetur mbështetje nga anëtarët e tjerë të Kryesisë, pavarësisht se reagimi i Blushit ka qenë mjaft i ashpër.
Reagimi
"Ky ishte një vendim i padrejtë dhe arbitrar i Kryesisë, i cili i vë këto zgjedhje në rrezik. Dua t'u bëj sot thirrje të gjithë kandidatëve, në të gjitha anët e Shqipërisë, që të reagojnë, t'i kërkojnë PS-së t'i përfshijë në listat e tyre të votimit dhe t'u japë mundësi të zgjidhen apo të humbin, që ky të bëhet një proces demokratik", - apeloi Blushi.
Sipas tij, nëse zgjedhjet e së dielës do të zhvillohen duke përjashtuar nga listat një numër të madh anëtarësh dhe personalitetesh të PS-së për t'u votuar, atëherë kjo parti nuk ka stabilitet dhe kohezioni i saj i brendshëm riskohet fort në prag të zgjedhjeve lokale. Blushi theksoi se nuk mund të ketë zgjedhje kur kandidatët përzgjidhen paraprakisht.
Zgjedhjet vendore
Aksionin politik të PS-së për rivendosjen e marrëdhënies së kushtëzuar me Parlamentin dhe bojkotimin e zgjedhjeve vendore, deputeti Blushi e ka kritikuar ashpër duke e quajtur një instrument të pavlefshëm dhe një armë të pafrytshme. Sipas tij, bojkoti nuk e forcoi aksionin e socialistëve, përkundrazi, e përçau dhe e dobësoi atë, duke prishur dhe imazhin e saj te ndërkombëtarët. Kundërshtari i Ramës theksoi se e vetmja mënyrë që PS-ja të kthehet në pushtet është ndryshimi i saj. “Nëse Rama ka frikë se humb në zgjedhjet lokale, 60 mijë anëtarë të tjerë të PS-së nuk e kanë këtë problem, sepse e kanë mundur Berishën edhe kur Rama nuk ishte”, - u shpreh Blushi, duke theksuar se “nëse sot shqiptarët kanë një instrument jetik dhe të vetëm për të ndryshuar Shqipërinë, kjo mbetet PS-ja. Por, nëse PS-ja përdoret si një instrument personal, si një shkop apo lopatë bashkie, sigurisht që Shqipëria nuk ka shpresë".
Berisha pret numrin dy të fondacionit “Hans Siedel”
9 Korrik 2010