E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli i Berishës: Aplikoni për kartat e identitetit

Kryeministri Berisha, nga Fushë-Kruja ju ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve të aplikojnë për karta identiteti. Gjatë fjalës së tij, Berisha u është drejtuar në mënyrë vëllazërore shqiptarëve, duke thënë se "pavarësisht nga bindjet tuaja politike, ngrihuni në lartësinë e përgjegjësisë suaj qytetare, merrni letërnjoftimet elektronike. Letërnjoftimi elektronik është dëshmia më moderne e identitetit tuaj në Evropë". Më tej ai ka theksuar se "me letërnjoftimin elektronik ju e barazoni veten me qytetarin e vendit më të zhvilluar në Evropë. Merreni letërnjoftimin edhe si dëshmi e një vullneti të hekurt për të zhvilluar zgjedhje të lira e të ndershme. Çdo njëri prej nesh ka një shans të madh të japë një kontribut për Shqipërinë evropiane: letërnjoftimin. Shqipëria evropiane fillon nga letërnjoftimet elektronike dhe pasaportat biometrike. Ndaj, ka theksuar kreu i qeverisë, ftoj ata që nuk i kanë marrë ende, t‘i marrin". Duke iu drejtuar të gjithë këshilltarëve, kryetarëve të komunave e të bashkive të Shqipërisë, pavarësisht nga përkatësia partiake, Berisha u ka bërë thirrje të bëjnë çdo përpjekje që qytetarët e bashkive dhe komunave të tyre të pajisen brenda javës me letërnjoftimet elektronike. Gjithashtu ai ka ftuar militantët e të gjitha partive politike të ndihmojnë mbështetësit dhe simpatizantët e tyre për të marrë letërnjoftimet elektronike. Shqipëria elektronike është e ardhmja jonë. Më pas Kryeministri është ndalur tek investimet e bëra për Fushë-Krujën. Berisha para banorëve të Fushë-Krujës tha se "kemi asfaltuar mbi 20 kilometra rrugë, kemi ndërtuar ujësjellës për 5-6 fshatrat e saj, kemi investuar në shkolla, në qendra shëndetësore. Faktikisht, tha ai, Fushë-Kruja sot ka një infrastrukturë tjetër. Unë kam ardhur këtu për t‘u zotuar para jush se do të financojmë çdo projekt të kryetarit tuaj të bashkisë, për ta modernizuar këtë qytet, për të ndryshuar për mirë jetën tuaj dhe të të gjithë qytetarëve të Bashkisë së Fushë-Krujës" është shprehur Berisha. Më tej kreu i qeverisë ka theksuar se "mblidhemi sot, pasi ndryshuam dhe lartësuam më shumë se kurrë në histori emrin e Shqipërisë dhe shqiptarëve, pasi anëtarësuam Shqipërinë në NATO, pasi e shndërruam atë në një vend që aplikon për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian, pasi erdhëm në prag të lëvizjes së lirë në mbarë Evropën". Duke qenë në Fushë-Krujë, Kryeministri nuk ka ikur pa vlerësuar banorët e kësaj zone për mikpritjen e shkëlqyer që i bënë Presidentit të SHBA-së, George W. Bush.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›