E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri premton zhvillim të Portit të Lezhës

Turi elektoral i Kryeministrit Sali Berisha është ndalur dje në qytetin e Lezhës. Kreu i qeverisë është pritur nga dhjetëra e dhjetëra simpatizantë e mbështetës të PD-së, të cilëve ju ka premtuar se mandati i dytë qeverisës do jetë mandati i kurorëzimit të projekteve të mëdha të nisura nga kjo qeveri. Pas prezantimit të kandidatëve të Qarkut të Lezhës, të cilët kryesohen nga deputeti aktual, Edi Paloka, Berisha ka siguruar se nga ky qark demokratët do të dalin të fituar, duke mos hezituar për asnjë moment në mbështetjen e lezhjanëve ndaj PD-së. Më pas, kreu i qeverisë ka renditur disa nga prioritetet kryesore që përmban programi i PD-së për zgjedhjet e 28 qershorit, duke e vënë theksin tek ulja e varfërisë, shtimi i vendeve të reja të punës, lufta pa kompromis ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, investimet në arsim, duke futur në çdo shkollë internetin, përmirësimin e sistemit shëndetësor, i cili, tha Berisha, për hir të së vërtetës ka problemet e tij. Gjithashtu Kryeministri nuk ka harruar pa ju kujtuar banorëve të Qarkut të Lezhës punën e mirë që kjo qeveri ka bërë gjatë këtyre katër viteve që ka qenë në pushtet. Në sajë të reformave të realizuara, tha ai, anëtarësuam Shqipërinë në NATO, hapëm derën e madhe për anëtarësimin në BE-së dhe brenda vitit të parë të mandatin të dytë shqiptarët do të lëvizin lirshëm nëpër vendet e tjera të Evropës. Prioritet i kësaj qeverie, tha Berisha, do të jetë edhe Porti i Shëngjinit, i cili do të kthehet në një port gjigant, që do të shërbejë edhe për vëllezërit kosovarë. Kryetari i PS-së, Edi Rama, ka qenë sërish në qendër të sulmeve të Kryeministrit, i cili, sipas tij, ka frikë të jenë në krye të listës së partisë së tij.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›