E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kaka, orët e fundit si lojtar i Milanit

E diela ishte një ditë e veçantë, paska e hidhur për tifozët e Milanit: nëse nuk do të ketë ndryshime të papritura të skenarit, Rikardo Kaka ka kaluar orët e fundit me fanellën kuqezi. Transferimi i mesfushorit brazilian te Reali i Madridit është vendosur që prej javës së kaluar, ndërsa sot dy klubet pritet të zyrtarizojnë marrëveshjen. Dje, drejtori i departamentit mjekësor në "Bernabeu", Huan Karlos Hernandez u paraqit në grumbullimin e "seleçaos" dhe zhvilloi vizitat mjekësore të lojtarit. Sipas "Marca"-s, Kaka i kaloi testet me sukses. Gjatë mbrëmjes, Berluskoni u takua me Galianin për të biseduar rreth strategjive të ardhshme të merkatos. Në vilën e presidentit të Milanit është folur për të ardhmen e skuadrës, lojtarët që do të luajnë me fanellën kuqezi, të cilët duhet të minimizojnë zemërimin dhe pakënaqësinë e tifozëve për largimin e idhullit të tyre. Objektivi kryesor është afrimi i një sulmuesi me peshë: mes shumë zërave që qarkullojnë, emri më i mundshëm është ai i Emanuel Adebajor. Ai është i vetmi ndërmjet yjeve, që do të pranonte të transferohej menjëherë te Milani. Për lojtarin e Arsenalit nevojitet një rrogë e përshtatshme (të paktën 4 ose 4.5 milionë euro në sezon) dhe rreth 30 milionë euro që do t‘u paguhen "topçinjve" për kartonin. Në teori, shitja e Kaka siguron fondet e mjaftueshme për të realizuar këtë operacion, por nuk duhet harruar se "sakrifikimi" i brazilianit do të bëhet për të rregulluar bilancet financiare të klubit. Alternativa "low cost" është Luka Toni. Drejtuesit në rrugën "Turati" vazhdojnë bisedimet me Bajernin e Mynihut për ish-sulmuesin e Fiorentinës. Ndërkohë, në Madrid po përgatiten për festën pas Kupës së Konfederatave. Përpara se të kthehet në Brazil për pushime, Kaka do të prezantohet si një yll i Hollivudit, ashtu sikurse ka ndodhur përpara tij me Ronaldon, Bekham e Zidan.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›