Edhe pilotët kundër rregullave të Moslit
Edhe Shoqata e Pilotëve del përkrah Shoqatës së Skuadrave të Formula 1 (FOTA). Përpara fillimit të garës në Stamboll, të gjithë pilotët, përveç Niko Rosberg dhe Kazuki Nakazhima të Uilliams dhe Xhanfranko Fizikela e Adrian Sutil të Fors India - dy skuadrat që janë regjistruar pa rezerva në Botërorin 2010 dhe që u pezulluan nga FOTA - takuan tetë përfaqësuesit e skuderive. Mbledhja zgjati 25 minuta dhe gjatë saj pilotët dhe drejtuesit e skuadrave diskutuan rreth konfliktit të FOTA-s me FIA-n për rregullat dhe buxhetin e kufizuar që do të hyjë në fuqi në vitin 2010. Përfundimi ishte i qartë: pilotët do të qëndrojnë përkrah skuadrave në rast se këto të fundit vendosin të zhvillojnë një kampionat alternativ, duke braktisur Çmimet e Mëdha të organizuara nga Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit. Jarno Truli, një nga tre presidentët e sindikatës së pilotëve deklaroi: "Të gjithë kemi të njëjtin mendim: të ndjekim FOTA-n dhe të respektojmë punën që skuadrat po bëjnë rreth rregullores dhe drejtimit të Formula 1. Mosli duhet të kuptojë se disa gjëra nuk mund të bëhen sipas dëshirave të tij. Rregullorja e vitit 2010 nuk është aspak e mirë. F1 duhet të mbetet sporti numër 1 në botë, me teknologjinë dhe konstruktorët më të mirë. Aty nuk mund të marrin pjesë skuadra që nuk e dinë se çfarë do të thotë të garosh në kampionatin më të fortë". Tashmë FIA duhet të tërhiqet, sepse rrezikohet seriozisht largimi i skuadrave më të forta dhe pilotëve më të mirë. "Pilotët e dinë mirë se cilin krah duhet të mbajnë. Mendoj se javën e ardhshme mund dhe duhet të ketë zhvillime rreth kësaj çështjeje", përfundoi Truli.