Berisha ftesë opozitës: Rezolutë për integrimin
Kryeministri Berisha i ka bërë thirrje opozitës që të bashkëpunojë me mazhorancën për të hartuar një rezolutë për integrimin e vendit në BE.
Duke folur në seancën plenare të Kuvendit, kryeministri Berisha theksoi se në këtë rezolutë duhet të shprehen zotimet e të dyja palëve dhe axhenda për procesin e integrimit.
“Unë sigurisht që pavarësisht nga skepticizmat besoj se qëllimet e veta opozita nuk i merr për hir të qeverisë por i bazon në programin e saj si forcë politike. Opozita qëndrimet e veta i bazon dhe duhet ti bazojë edhe në funksion të realizimit të qëllimeve të saj dhe kjo është normale. Është një moment që të faktojmë që deklaratat tuaja që do të votoni të gjitha problemet që kanë të bëjnë me integrimin janë reale apo një bllof i radhës, ku kërkohet një gjë që të blihet kohë dhe ti hidhet hi sy shqiptarëve se ne po themi që do votojmë dhe nuk po pengojmë” ka shtuar Berisha.
Më tej kryeministri Berisha theksoi se refuzimi i opozitës për të bashkëpunuar në rrafshin politik do të ndëshkonte çdo shqiptar por edhe autorët e tij. “Unë gjithë këto javë ju kam ndjekur dhe ajo që më bën përshtypje ideja se mund ta bëjmë shesh pazaresh parlamentin. Unë ju garantoj se do të keni respektin dhe do të bazohet në ligje dhe jo në pazare dhe kushte. Iu siguroj që sa të jem në qeveri kurrë nuk do të keni kushte por përpjekje për të vendosur kushte janë atavizma që janë faktuar si të pasukseshshme të çdo forme që janë ndërmarrë” ka shtuar Berisha.
Gjithashtu kryeministri Berisha ftoi opozitën që javën që vjen të sjellë në Kuvend kandidaturën për Avokatin e Popullit, e cila nuk do të ketë kandidaturë nga mazhoranca dhe do të miratohet.
Sipas Berishës, pas ngarkimit të dy deputetëve socialistë për të eksploruar komitetin ad hock, do të ngarkohen dhe dy deputetë nga maxhoranca për modalitetet dhe funksionimin e tij.
Duke shprehur mirënjohje të thellë dy ministrave të jashtëm të BE-së që erdhën dje në Shqipëri, Berisha deklaroi se ata kërkonin që këtu të mos bllokohet më tej procesi i integrimit.
“Erdhën në një kohë kur forcat politike me deklarate kanë pohuar se do të punojnë me përkushtim për integrimin. Jam këtu për tu bërë thirrje opozitës që së bashku të hartojmë një rezolutë në të cilën të shprehim zotimet tona dhe axhendën për procesin e integrimit. Unë pavarësisht nga skepticizmat besoj se qëndrimet e veta opozita nuk i merr për hir të qeverisë, por duhet ti bazoj në programin e saj si forcë politike”- shtoi kryeministri.