Apeli i Krimeve të Rënda: Në fuqi arresti për Ilir Kumbaron
TIRANE – Ilir Kumbaro, një prej të pandehurve të procesit “Remzi Hoxha” në Gjykatën për Krimet e Rënda, do të vazhdojë të qëndrojë në masën e sigurisë “arrest me burg”. Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda vendosi dje të lërë në fuqi vendimin e shkallës së parë të caktimit të masës së sigurisë “arrest me burg” për Kumbaron. Në seancën e djeshme, togat e zeza të Apelit kanë lexuar vetëm dispozitivin e vendimit, sipas të cilit Ilir Kumbaro do të vazhdojë të qëndrojë në qeli. Avokatët e Kumbaros pretendonin se masa e sigurisë ndaj Kumbaros, e caktuar në 18.02.2003, kishte humbur fuqinë kur dosja është pushuar me një vendim në vitin 2004. Aktualisht Ilir Kumbaro ndodhet nën arrest në Londër, ku u prangos më 16 qershor të këtij viti. Kumbaro qëndronte në shtetin britanik prej disa vjetësh nën identitetin e një shtetasi kosovar. Autoritetet shqiptare janë duke u bërë procedurat për ekstradimin e tij në Shqipëri. Kërkesa për lirimin nga qelia e Kumbaros bëri disa “xhiro” në shkallët e gjyqësorit. Duke pretenduar se masa e sigurisë ndaj klientit të tyre ishte e paligjshme, avokatët mbrojtës të Kumbaros kërkuan shuarjen e saj, kërkesë që nuk u pranua nga gjykata. Në vijim kërkesa e rrëzuar nga shkalla e parë u dërgua në Gjykatën e Apelit, togat e zeza të së cilës nuk pranuan ndryshimin e masës. ar.ba