Europol: Bandat shqiptare po sfidojnë grupet italiane
Trazhgim Sokolaj
Raporti i fundit i Europol, i publikuar të shtunën në Bruksel, thekson se bandat shqiptare në disa raste sfidojnë grupet kriminale italiane në trafikun e narkotikëve. Sipas raportit mbi krimin e organizuar për vitin 2009, Shqipëria vazhdon të mbetet vend burim i organizatave kriminale. “Trafiku i kokainës dhe drogave të tjera të forta është në rritje. Një pjesë e sasisë që mbërrin në tregun Europian kalon nga Shqipëria”, citon raporti. Sipas Zyrës Policore Europiane, grupet etnike shqiptare janë të përfshira në linjat ndërkombëtare të trafikimit të drogave të forta. “Grupet kriminale shqiptare në disa raste sfidojnë edhe bandat e huaja, si për shembull klanet italiane të cilat nga ana e tyre janë aktive në fushën e trafikut të narkotikëve”, thekson më tej raporti. Ai vë në dukje se shqiptarët janë të implikuar në krijimin e bazave të narkotrafikut në Evropën Juglindore. Zyra policore Evropiane, në raportin e publikuar në Bruksel thekson se lidhjet mes Shqipërisë dhe Italisë në fushën e trafiqeve të drogës, vazhdojnë të mbeten të forta.
Raporti e konsideron Shqipërinë si një qendër për trafikimin e heroinës. Ndërkohë rajoni i Ballkanit vlerësohet se është origjinë dhe vend tranziti për falsifikimin e parave, trafikun e drogës dhe trafikun e armëve.
Raporti nuk përmban shifra konkrete në lidhje me sasinë e drogës, e cila ka qarkulluar përmes Shqipërisë vitin e fundit.
“Grupet kryesore italiane të krimit të organizuar, janë aktive në trafikun e drogës, por në disa raste, janë duke u sfiduar nga shqiptarë etnikë, kriminelë kolumbianë, turq dhe afrikanë”, thuhet në raport. Sipas dokumentit, Shqipëria nuk përmendet në rrugët problematike të trafikut të njerëzve për qëllime shfrytëzimi seksual, edhe pse linjat e kësaj tregtie vijnë deri në rajon përmes Malit të Zi dhe Kroacisë me destinacion vendet perëndimore. Duke iu referuar krimit transnacional, raporti i Europol vëren se grupet kryesore kriminale në emigracion, përbëhen nga të rinj që janë larguar nga vendet e tyre. Më tej dokumenti thekson se është rritur dukshëm sasia e drogës dhe mallrave të tjera të paligjshme, të cilat trafikohen në linjat e transportit ajror, duke shfrytëzuar fluturimet me shumë transite, me qëllim fshehjen e origjinës.