E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grori, vendimi i Strasburgut merr formë të prerë

 

TIRANE - Vendimi i Strasburgut për Arben Grorin, 39 vjeçarin kryeqytetas, merr formë të prerë, bie dënimi italian për qëndrim përjetë në qeli. Pak ditë më parë Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut komunikoi se vendimi i shpallur më 7 korrik të këtij viti kishte marrë formë të prerë dhe tashmë pritet të dërgohet zyrtarisht në Tiranë, për t’u ekzekutuar nga qeveria shqiptare. Në këtë vendim Strasburgu pohoi se dënimi i përjetshëm i dhënë nga autoritetet italiane për Grorin në vitin 1998 dhe i njohur nga Gjykatat Shqiptare ishte i pavlefshëm, për shkak të njohjes së tij pa pasur bazë ligjore. Po kështu, duke vazhduar në këtë argument, gjykata ka pohuar se arrestimi i Grorit është bërë në mënyrë antiligjore dhe arbitrare dhe se ai është mbajtur në qeli për një vit e gjysmë në mënyrë të jashtëligjshme. Pas kësaj, Grorit i është komunikuar një tjetër akuzë, “trafik narkotikësh” për të cilën u dënua 14 vjet burg. Në vendim gjykata u shpreh se Grori duhej të dëmshpërblehej nga qeveria shqiptare brenda tre muajve nga data në të cilën vendimi merr formë përfundimtare me 8 mijë euro për dëmin jo pasuror të shkaktuar dhe 7 mijë euro për kostot dhe shpenzimet gjyqësore. Kësaj shume sipas, Strasburgut, do t’i shtohen tatimet e aplikueshme si dhe kamat vonesat sipas interesave bankare, plus tre për qind e shumës.                                           fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›