E Diel, 1 Nëntor 2026

Nafta në Shqipëri, kredi 110 milionë USD

 

IFC dhe BERZH kanë nënshkruar një marrëveshje financiare me kompaninë kanadeze të naftës Bankers Petroleum. Vlera e kësaj marrëveshjeje arrin shifrën e 110 milionë dollarëve. Rreth 100 milionë dollarë do të përdoren për planet e zhvillimit të Bankers në fushën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës, ndërsa 10 milionë dollarë do të përdoren për pastrimin dhe përmirësimin mjedisor të kësaj fushe. Kjo është hera e parë që dy institucionet financiare nënshkruajnë një marrëveshje me vlerë të tillë financiare në fushën e hidrokarbureve në vend. Gjatë ceremonisë së zhvilluar dje merrnin pjesë zyrtarë të lartë të qeverisë si dhe vetë ministri i Energjetikës, Dritan Prifti. Ai u shpreh i kënaqur që në zonën e tij elektorale do të investohen 100 milionë euro në sektorin e naftës dhe të gazit, pasi sipas tij këto investime pritet që të ndikojnë në rritjen e numrit të të punësuarve në këtë zonë si dhe do të ndikojnë në zhvillimin ekonomik të zonës. Gjatë fjalës së tij kreu i METE-s theksoi se nga privatizimi i Albpetrolit nuk do të cenohet asnjë nga investimet e huaja ekzistuese në fushën e hidrokarbureve. Sipas tij, qeveria synon tërheqjen e investimeve serioze në fushën e hidrokarbureve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›