E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritet me 9 për qind numri i pasagjerëve në TIA

 

Për 9 muaj numri i pasagjerëve në TIA është rritur me 9 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas të dhënave zyrtare, 1.063.393 pasagjerë kanë udhëtuar nëpërmjet Tirana International Airport gjatë nëntëmujorit të këtij viti. Aeroporti gjithashtu regjistroi 15.260 lëvizje të trafikut ajror (ATM) dhe ka përpunuar 1.217 tonë mallra. Këto shifra tregojnë një rritje prej 4.5 për qind të ATM-ve, ndërkohë që transporti i mallrave ka regjistruar një zbritje prej 16 për qind. “Tirana International Airport shënoi një rritje të mëtejshme këtë vit. Këtë fakt e vërtetojnë dhe shifrat e këtij viti deri në këto momente, rezultate të cilat na bëjnë krenarë për punën tonë të vazhdueshme në përmbushjen e kërkesave të konsumatorëve. Me Fazën B të zgjerimit të aeroportit tashmë të përfunduar, ne besojmë se fundi i këtij viti dhe vitet në vijim do të na çojnë drejt sukseseve akoma më të mëdha”, thotë Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e TIA-s, Andrea Gebbeken. Megjithëse klima e biznesit në botë ka qenë jo shumë e favorshme, TIA vazhdon të shënojë rezultate pozitive, duke realizuar në të njëjtën kohë dhe zgjerimin e Fazës B, në shtator të vitit 2009, një investim prej 20 milionë euro, i cili synon një kapacitet prej 1.8 milionë pasagjerë në vit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›