E Shtunë, 31 Tetor 2026

Makina thyen murin e Pallatit të Brigadave

 

TIRANE – Një aksident automobilistik i ndodhur te Rruga e Elbasanit në kryeqytet ka dëmtuar muret rrethuese të Pallatit të Brigadave. Automjeti tip “Cintroen”, i drejtuar nga 30-vjeçari Agron Meta, është përplasur me murin rrethues të Pallatit të Brigadave, në afërsi të Saukut. Sipas policisë, drejtuesi i mjetit ka humbur drejtimin kur vinte nga Elbasani në Tiranë, pranë Pallatit të Brigadave. Për të shmangur përplasjen me ndonjë makinë tjetër, drejtuesi i mjetit ka goditur murin rrethues të Pallatit të Brigadave. Burime nga policia thanë se në vendin e ngjarjes u kryen veprimet hetimore, ku nga verifikimi i bërë lejes së drejtimit dhe numrit të shasisë, rezultoi se dokumentacioni i këtij automjeti ishin të falsifikuara. Drejtuesi i mjetit u largua nga vendi i ngjarjes. Disa minuta më pas u arrestua 30-vjeçari, Agron Meta, me akuzat e “falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve”, “largimit nga vendi i aksidentit” dhe të “shkatërrimit të pronës nga pakujdesia”. Ndërkohë një aksident tjetër i rëndë ka ndodhur në afërsi të Rinasit. Katër persona u plagosën rëndë, si pasojë e përplasjes së dy makinave pranë Aeroportit të Rinasit. Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme, për shkak të shpejtësisë tej normave të lejuara dhe të aksidentuarit janë dërguar në Spitalin Ushtarak në gjendje kritike për jetën. Burime nga policia e kryeqytetit thanë se dy autovetura me targa të Tiranës janë përplasur me njëra-tjetrën rreth orës 15:30, duke rrezikuar jetën e katër personave, dy prej tyre në gjendje të rëndë. Aksidenti ka ndodhur në rrugën e Rinasit, në afërsi të fshatit Laknas, ku një benz me targa TR 9292 M është përplasur me një tjetër benz me targa TR 6148 P. Automjeti me targa TR 9292 M, që tentonte të kalonte në krahun tjetër të rrugës, është përplasur me automjetin që po lëvizte me shpejtësi në drejtim të kryeqytetit. Përplasja e fortë ka bërë që makina me targë TR 6148 P të dalë nga rruga dhe të përfundojë në një kanal anësor.                                                                            e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›