DASH: Kërkesat e komuniteteve fetare për pronat s’u zgjidhën
ADI SHKEMBI
Shumë prej pretendimeve të komuniteteve fetare për kthimin e pronave mbetën të pazgjidhura. Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi dje raportin vjetor mbi liritë fetare, ku përshkruan marrëdhëniet e shtetit me komunitetet fetare në vend. Në paragrafin “Kufizime mbi Lirinë Fetare”, raporti vlerëson se Qeveria përgjithësisht respektoi lirinë fetare në praktikë. Por sipas tij “Qeveria vazhdoi të trajtonte pretendimet nga secili prej katër grupeve tradicionale fetare, lidhur me kthimin apo kompensimin e pronave të marra gjatë ish epokës komuniste; megjithatë, shumë nga pretendimet për prona mbetën të pazgjidhura. Pas marrëveshjeve të reja dypalëshe të nënshkruara, Agjencia Kombëtare për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave u udhëzua t’u jepte përparësi pronave të zotëruara nga bashkësitë fetare”. Duke iu referuar rasteve konkrete raporti thekson se Kisha Ortodokse vazhdoi ndërtimin e një katedraleje të re në Tiranë mbi tokë, që e mori si kompensim për tokën e marrë nga qeveria komuniste, por citoi mungesë veprimi për pretendime të tjera për prona në gjithë vendin. Kisha Ortodokse edhe Kisha Katolike përfshinë në pretendimet e tyre për kompensim ikona fetare dhe dorëshkrime të vyera marrë nga qeveria komuniste, të cilat mbeteshin në arkivat kombëtare. “Komuniteti Islamik Shqiptar vazhdoi të kërkonte leje ndërtimi për një xhami të re në një tokë kthyer bashkësisë nëpërmjet procesit të kompensimit pas-komunist. Kërkesa mbeti nën shqyrtim nga Bashkia e Tiranës. Nuk pati raportime për të ndaluar apo të burgosur fetarë në vend”, vijon më tej raporti. Departamenti i Shtetit vë theksin gjithashtu te marrëveshja e qeverisë me katër komunitetet fetare në vend, për përjashtim e tyre nga taksat dhe shton se grupe të tjera fetare pa marrëveshje dypalëshe me qeverinë vazhduan të kërkonin statusin e përjashtimit nga taksat. Në raport përmendet edhe rasti i ndalimit të disa studentëve që u paraqitën në ambientet arsimore me simbole fetare. “Nuk ka ligj që ndalon mbajtjen e veshjeve apo simboleve fetare. Drejtorët e shkollave kanë të drejtë të përcaktojnë standardet për “veshjen e përshtatshme,” çka me raste përfshinte kufizime ndaj ekspozimit publik të simboleve fetare. Gjatë periudhës së raportimit, tri nxënëse të shkollave të mesme publike u ndaluan të ndiqnin orët e mësimit ngaqë mbanin shami koke”, thuhet më tej në raport. Gjatë vitit të kaluar nuk pati raportime për konvertim fetar me forcë, përfshi të shtetasve minorenë të SHBA të rrëmbyer apo larguar jashtëligjshëm nga Shtetet e Bashkuara apo që nuk lejoheshin të ktheheshin në Shtetet e Bashkuara. Ambasada e SHBA mbështeti përpjekjet e Komitetit Shtetëror për Kultet, për të zhvilluar dhe plotësuar marrëveshje dypalëshe midis shtetit dhe disa bashkësive fetare.