E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli i Krimeve të Rënda dyfishon dënimin për trafikantët e klandestinëve

Të arrestuarit e operacionit “Butrinti” do t’i paguajnë më shumë lekë shtetit

Laureta Rryçi

Tiranë - Gjykata e Apelit për Krimeve të Rënda dyfishoi dje vendimin dhe gjobën ndaj pesë të arrestuarve gjatë operacionit “Butrinti”. Burime pranë kësaj gjykate shpjeguan se kolegji penal gjykoi se të pandehurit kishin bashkëpunuar me njëri-tjetrin për veprën penale të “kalimit të paligjshëm të kufirit”. Të njëjtat burime shpjeguan se Arjan Shehu u dënua me 12.6 muaj burg dhe tetë milionë lekë gjobë. Kadri Jemini u dënua me 13.1 muaj burg dhe 9.5 milionë lekë gjobë. Ilmi Bejko u dënua 13.1 muaj burg, 9.5 milionë lekë gjobë. Emin Halili u dënua 12.6 muaj burg dhe tetë milionë lekë gjobë. Ilia Thoma u dënua me 10 vite burg dhe tetë milionë lekë gjobë.
Vendimi i parë
Vetëm pak kohë më parë në vendim për të pandehurit pati dalë edhe Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda. Sipas atij vendimi Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi me 30 vjet e 6 muaj burg, si dhe 25.5 milionë lekë gjobë pesë të pandehurit e akuzuar për dhënien ndihme të kalimit të paligjshëm të kufirit. Trupi gjykues dënoi me 7 vjet burg dhe 6 milionë lekë gjobë të pandehurin Arjan Shehu, me 6 vjet dhe 3 vjet burg dhe 7.5 milionë lekë gjobë secili dy të pandehurit Kadri Emini dhe Ilmi Bejko 6 vjet burg dhe 6 milionë lekë gjobë për të pandehurin Emin Halili, si dhe 5 vjet burg e 6 milionë lekë gjobë për Ilia Thoma. Të pandehurit e lartpërmendur ranë në pranga e policisë në sajë të operacionit të koduar “Butrinti”. Ata akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin si dhe me ndihëm në efektivave të policisë kufitare kanë realizuar kalimin e shumë klandestinëve nga vendi ynë në Greqi kundrejt shumës 1000-1300 euro.
Arrestimi
Ishte operacioni i koduar policor “Butrinti” që shkatërroi një grup të strukturuar kriminal të përbërë prej 12 vetash. Kështu, u dërguan pas hekurave gjashtë uniforma blu të Sarandës. Survejimi i tyre është bërë prej disa muajsh, ndërsa agjentët e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm janë detyruar të arrestojnë kolegët e tyre, përveç personave të tjerë. Petraq Rako, Dritan Kaso, Naim Daci, Kadri Emini, Ilmi Bejko dhe Vullnet Ruçi, të gjithë efektivë policie. Gjithçka ka ndodhur kur ata ishin të punësuar në pikën kufitare të Qafë-Botës. Madje, sipas burimeve nga Ministria e Brendshme, hetimet kanë nisur edhe për shefat e komisariateve që kanë drejtuar uniformat blu, në kohën kur kryheshin këto trafiqe.

Mbante armë pa leje në banesë, ndalohet 58-vjeçari

Tropojë - 58-vjeçari Ymer Gjyriçi u ndalua mbrëmjen e së Martës në qytetin e Bajram Currit, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesë, ju gjet një armë automatike model 56 si dhe një sasi prej 300 fishekësh, të ndarë në 11 karikatorë, bënë të ditur për gazetën “Albania” burime zyrtare të policisë lokale. Sipas tyre, ngjarja ndodhi rreth orës 22.00 dje në mbrëmje dhe pas arrestimit, me cilësinë e provës është konfiskuar i gjithë materiali luftarak.

Grinden për një vijë uji, qëllohen me mjete të forta kushërinjtë

Kukës - Dy të afërm, Ismen Cena, 42 vjeç, dhe Hamdi Cena, 40 vjeç, u grindën dje me njëri-tjetrin, madje duke u qëlluar edhe me mjete të forta dje në fshatin Kalis, 50 kilometra larg qytetit të Kukësit për shkak të një vije uji që secili donte ta merrte për të ujitur tokat. Burime zyrtare të policisë lokale thanë për gazetën se të dy pasi nuk gjetën mirëkuptim për radhën u grindën fillimisht me fjalë e më pas goditën njëri-tjetrin me shatë e mjete të tjera të forta. Të dy të plagosurit u dërguan në spitalin civil të qytetit të Kukësit. Për shkak të plagëve të rënda në kokë, shtetasi Ismen Cena u dërgua dje paradite me urgjencë në drejtim të spitalit ushtarak të Tiranës, ndërsa shtetasi Hamdi Cena vazhdon të kurohet në spitalin e qytetit.

Dhunoi babain, arrestohet për ushtrim 36-vjeçari

Kukës- Policia arrestoi dje në mëngjes shtetasin 36-vjeçar Gazmend Manaj, pasi u denoncua nga i ati, ndaj të cilit ushtronte dhunë të vazhdueshme, edhe pse ky i fundit ishte marrë në mbrojtje nga Policia prej disa muajsh. Sipas tij, i moshuari ishte marrë nën mbrojtje pas denoncimit që kishte bërë ndaj të birit 36- vjeçar për ushtrim dhune të vazhdueshme. Vetëm gjatë 3 muajve të fundit nga ana e policisë janë ndaluar 4 persona për akuzën e ushtrimit të dhunës në familje, ndërsa 2 të tjerë për shkak të thyerjes së urdhrit të policisë që ka marrë nën mbrojtje të afërmit e tyre të dhunuar.

Thikë 55-vjeçarit, arrestohet Aleksandër Pylla, në kërkim i vëllai

Shkodër – Një sherr banal për pak i ka kushtuar jetën një 55-vjeçari, i cili u godit me thikë nga dy vëllezër. Ngjarja ndodhi pasditen e djeshme në fshatin Guri i Zi në rrugën nacionale Shkodër-Vau i Dejës, kur Aleksandër Pylla, 30 vjeç, në bashkëpunim me vëllain e tij Agron Pylla, 28 vjeç, kanë tentuar të vrasin me thikë 55-vjeçarin Nazim Kotrri lindur e banues në lagjen Guerile të qytetit të Shkodrës. Policia, e cila nisi hetimet fill pas ngjarjes bëri të ditur se plagosja ndodhi pas një sherri për motive të dobëta mes dy vëllezërve dhe Kotrrit. Ky i fundit u qëllua me thikë në anën e majtë të trupit dhe aktualisht ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Burime nga policia thanë se pak orë më vonë u krye arrestimi i 30-vjeçarit Aleksandër Pylla, ndërsa është shpallur në kërkim e po punohet për kapjen e vëllait të tij Agron Pylla.

Dispononte 30 qese me Cannabis sattiva, ndalohet 19-vjeçari,

Tiranë – Forcat e policisë kanë kryer arrestim në flagrancë ndaj 19-vjeçarit Beniamin Selishta, lindur dhe banues në Durrës. Arrestimi i tij u krye sepse dje në rrugën “Muhamet Gjollesha”, përballë Inxhinierisë së Ndërtimit, gjatë një kontrolli të ushtruar, iu gjetën në brendësi të një çante rreth 30 qese farmacie me bimë e dyshuar narkotike e llojit Cannabis sattiva, e cila peshonte 95 gramë. U kryen veprimet procedurale, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: sasia prej 30 qese farmacie të mbushura me bimë e dyshuar narkotike e llojit Cannabis sativa si dhe një telefon celular. Materialet e përpiluara në ngarkim të tij, i kaluan Prokurorisë së Tiranë, për veprën penale të “Prodhim e shitje e lëndëve narkotike”, parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal.

Tentuan të vjedhin para në një furgon, bien në prangat e policisë

Tiranë – Forcat policore të kryeqytetit kanë kapur në flagrancë Klodjan Sejfullain, Alban Shahinin dhe Astrit Bekën, të cilët dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë tentuar të vjedhin me anë të metodave të shpimit të gomave një sasi parash në automjetin tip Benz Furgon, në pronësi të firmës “Kamberi” në Shkozë. Ndërkaq, gjatë kontrollit të ushtruar këtyre personave iu gjetën edhe disa qese të dyshuara si lëndë narkotike, me peshë 20 gramë lëndë e dyshuar narkotike. Gjatë hetimeve rezultoi se Klodjan Sejfullai ka qenë autor i vjedhjes edhe së një shume parash të vjedhur në automjetin furgon sprinter tip Bens, me targa TR 2247 R, në pronësi të një shtetasi, vjedhje kjo e ndodhur me datë 21 Janar 2009, në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të “Vjedhjes”, parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal.

Kapet 17-vjeçari, qëlloi me thikë bashkëmoshatarin e tij

Tiranë - Specialistët e seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit, kryen arrestimin në flagrancë të 17-vjeçarit me iniciale A. Ç., banues në Tiranë, pasi dyshohet të ketë plagosur me thikë një bashkëmoshatarin e tij. Sipas të dhënave policore, ngjarja ka ndodhur në rrugën “Niko Avrami” në Tiranë dhe dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta, në bashkëpunim me 20-vjeçarin Renis Kasapi, për të cilin po punohet për kapjen e tij, kanë goditur me thikë në pjesën e barkut 17-vjeçarin me inicialet D. C. I plagosuri u dërgua menjëherë në Spitalit Nr. 2 Tiranë, ku pas ndërhyrjes kirurgjikale aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në vendin e ngjarjes nga grupi hetimor u kryen veprimet procedurale si dhe u administruan të gjitha provat. Materialet do t’i kalojnë prokurorisë së Tiranës për veprën penale të “Plagosjes së rëndë me dashje”, parashikuar nga neni 88/1 i Kodit Penal.

23 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›