E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishtina kërkon ndihmën e ndërkombëtarëve për fletarrestet e Serbisë

Shfuqizimi i tyre s’mund të ndodhë pa anëtarësimin e Kosovës në Interpol

Blerina Olldashi
Qeveria kosovare kërkon ndihmën e ndëkombëtarëve për shfuqizimin e fletarresteve të konsideruara politike, që Serbia ka lëshuar ndaj 157 ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë listë gjenden figura të larta politike, si kryeministri Hashim Thaçi, ministri Fatmir Limaj, liderët opozitarë Ramush Haradinaj dhe Agim Çeku. Qeveria kërkon nga Interpoli që t’i shfuqizojë sa më shpejt ato. Zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi shprehet se qeveria e vetme nuk mund të bëjë shumë, por i duhet ndihma e partnerëve ndërkombëtarë. “Duhet të jemi të sinqertë dhe të themi se kemi probleme në këtë drejtim, sepse nuk jemi anëtarë të Interpolit, ndërsa Serbia është. Interpoli funksionon në atë mënyrë që pa marrë parasysh se në cilin shtet anëtar është obligim i nënshkruar me marrëveshjet për anëtarësim në këtë institucion, të respektohen kërkesat që dalin nga Interpoli. Po provojmë të gjejmë mënyra, jo vetëm si institucione të Kosovës, por edhe me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, që Interpoli mos t’i respektojë dhe t’i anulojë kërkesat e Serbisë”, u shpreh Krasniqi. Në fillim të këtij muaji, Bosnja ka arritur që të shfuqizojë fletarrestimet serbe, përmes të cilave kërkoheshin qytetarët boshnjakë. Por, një shfuqizim i tillë duket të mos jetë i mundur aktualisht në Kosovë, për shkak se ajo nuk është anëtare e Interpolit. Megjithatë, Bosnja paraqet shpresë për qeveritarët se ky problem ka zgjidhje. “Na jep shpresë të mirë rasti i fundit me pajtimin, për mosrespektimin e fletarrestimeve që kanë të bëjnë me Bosnjën e Hercegovinën, edhe pse pas një periudhe shumë të gjatë kohore për këtë shtet, na bën të kuptojmë se edhe Kosova do të gjejë një zgjidhje të tillë, në mënyrë që këto fletarrestime të mos respektohen”,- tha Memli Krasniqi. Njëri nga të kërkuarit në listën e Serbisë, është edhe Nuredin Ibishi, që njëherësh është edhe konsulent i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme e Siguri. Ai thotë se në këtë mes janë përgjegjëse edhe institucionet e Kosovës. Sipas tij, duhet një politikë më aktive për të ndihmuar shtetasit kosovarë. “Qeveria nuk është aktive në këtë aspekt. Duhet të vetëdijësohemi, që nëse kemi mundësi përmes UNMIK-ut apo EULEX-it, ne duhet automatikisht të reagojmë për të gjitha këto insinuata, fletarrestime dhe çështjet tjera që na adresohen nga Serbia”. Deri tani UNMIK-u ka mundur të bashkëpunojë me Interpolin. Meqë përgjegjësitë për fushën e sundimit të ligjit i janë bartur misionit europian për sundim të ligjit, janë duke u zhvilluar diskutime se si të vendoset komunikimi mes organizatës ndërkombëtare policore dhe EULEX-it. Një vendim eventual mund të merret gjatë asamblesë parlamentare të Interpolit, që pritet të mbahet në tetor.

Gjukanoviç akuzohet për trafik cigaresh

Akuza të reja mbi trafikun dhe kontrabandën e cigareve i janë drejtuar kryeministrit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç. Gjykata e Barit arkivoi dy muaj më parë një hetim për akuza të ngjashme kryeministrit malazez. Këtë herë për të vënë gishtin kundër Gjukanoviçit ka qenë Ratko Knezeviç, biznesmeni malazez dhe ish-këshilltari i ngushtë dhe bashkëpunëtori i vetë Gjukanoviçit. Në një deklaratë të bërë nga Londra për të përditshmen e podgoricës “Vijesti”, Knezeviç akuzoi për herë të pestë kreun e qeverisë së Malit të Zi se ka organizuar trafik ilegal të cigareve në bashkëpunim me sipërmarrësin serb Stanko Subotiç. Trafiku dhe kontrabanda e cigareve është një ndër aktivitetet më fitimprurëse në Ballkan kohët e fundit. Në intervistën dhënë për “Vijentin” Knezevic konfirmon gjithashtu se mafia ballkanike, aktive në kontrabandën e cigareve, ka qenë përgjegjësja kryesore e vrasjes së gazetares kroate Ivo Pukaçiç, në Zagreb në tetorin e kaluar.

Gruevski vizitë në Beograd, takohet me kryeministrin Cvetkoviç

Gjatë takimit të djeshëm të kryeministrit të Serbisë, Mirko Cvetkoviç me homologun e tij maqedonas, Nikolla Gruevski, janë lënë anash dallimet për Kosovën për t’u fokusuar tek integrimi në Bashkimin Europian dhe në bashkëpunimin ekonomik. “Vendet tona kanë të njejtin synim dhe ky është anëtarësimi në Bashkimin Evropian”,- u tha gazetarëve kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski dhe shtoi se “qëllimi ynë është që një ditë t’i shohim vendet tona në Europën pa kufij”. Kryeministri i Serbisë, Mirko Cvetkoviç, në konferencën e përbashkët për shtyp, tha se të dy liderët janë pajtuar për shumë çështje, ndërsa gjatë takimit u nënshkruan disa marrëveshje për bashkëpunim ekonomik dhe kulturor. Kjo ishte vizita e parë e kryeministrit Nikolla Gruevski, në Serbi, që nga koha kur Maqedonia njohu pavarësinë e Kosovës, në tetor të vitit 2008.

Gjeorgji
Bajden mirëpritet nga populli
Qindra gjeorgjianë me flamuj dhe mbishkrime kanë pritur zëvendës presidentin amerikan, Xhozef Bajden, në rrugët e Tbilisit. Prej mbishkrimeve mbizotëronin ato “Mos na harro” dhe “Jo pushtimit”, që ishte referencë ndaj trupave ruse të vendosura në rajonet separatiste në Osetinë Jugore dhe në Abhazi. Bajden me këtë rast riafirmoji mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Gjeorgjinë. Në Tbilisi zëvendëspresidenti amerikan Bajden arriti nga Kievi dhe kjo konsiderohet një vizitë e rëndësishme.

Iran
Policia shtyp protestat e dhunshme
Në qendër të kryeqytetit iranian forcat e sigurimit me një prani të madhe kanë shtypur me dhunë protestën më të fundit të opozitës. Policia dhe anëtarë të milicisë basixhi, besnikë të qeverisë, kanë goditur protestuesit me shkopinj gome për të shmangur grumbullimin e tyre. Shumë demonstrues janë arrestuar.
Me gjithë paralajmërimin e udhëheqësit shpirtëror të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, sipas njoftimeve të dëshmitarëve okularë, disa qindra njerëz kanë protestuar përsëri kundër qeverisë.

Kenia
Përplasen dy autobusa, 21 viktima
Një aksident tragjik u ka marrë jetën 21 personave në Kenia për shkak të një aksidenti automobilistik. Në afërsi të qytezës Narok dy autobusë janë përplasur fuqishëm mes tyre dhe sipas të dhënave spitalore, deri tani rezultojne 50 persona me plagë të renda. Kenia është një nga vendet më përqindjen më të lartë të aksidenteve në botë. Shkak për aksidentet bëhen kushtet e këqija te rrugeve lidhëse te vendit dhe mendohet që edhe këtë herë, problemet me rrugën kanë çuar në përplasjen mjeteve.

Bisedimet Serbi-EULEX, Qeveria kosovare: Të informohemi për detajet
Qeveria e Kosovës bën të ditur se ka pak informacione lidhur me bisedimet që po zhvillon EULEX-i me autoritetet e Beogradit. Ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi shprehet se ekziston rrezikur që EULEX-i të arrijë ndonjë marrëveshje e cila mund të cënojë sistemin unik të drejtësisë. Detajet e bisedimeve të kohëpaskohshme që misioni i BE-së zhvillon me autoritetet serbe që nga marsi i këtij viti sipas zyrtarëve qeveritarë në Prishtinë, për autoritetet kosovare janë pak të njohura. Një nga fushat e diskutimeve ndërmjet EULEX-it dhe Beogradit ka të bëjë me drejtësinë, sidomos me gjykatat në veri të Kosovës. Kelmendi thotë se pavarësisht se nuk i di detajet e këtyre bisedimeve, EULEX-i nuk ka nevojë të bisedojë fare me Beogradin, por me gjykatësit dhe prokurorët serbë që duan të rikthehen në vendet e tyre të punës. Pas deklaratave të zyrtarëve të EULEX-it në Prishtinë se do të preferonin disa marrëveshje teknike me Beogradin, mediat serbe kanë cituar zyrtarët në Beograd, të cilët mohojnë çfarëdo marrëveshjeje me EULEX-in. Beogradi kërkon që për kthimin e gjykatësve serbë në punë, EULEX-i t’i kthejë në zbatim dispozitat ligjore të UNMIK-ut dhe jo dispozitat ligjore të Republikës së Kosovës.

23 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›