E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykatat e Apelit, “gjyqe të fshehta”



Fatos Mahmutaj

“Gjykatat e Apelit mjaftohen vetëm me një shpallje te dera e institucionit për të konsideruar palët ndërgjyqës të njoftuara, duke zhvilluar gjykime në mungesë”. Shqetësimi vjen nga Avokati i Popullit, i cili ka përfunduar pak ditë më parë raportin vjetor të vitit 2009 dhe ua ka dorëzuar këtë Kuvendit, Kryeministrit dhe Presidentit të Republikës. “Gjatë vitit 2009 ndaj Gjykatave të Apelit kanë ardhur gjithsej 42 ankesa, nga të cilat 21 janë me objekt kundërshtim vendimi gjyqësor. Për ato është vendosur refuzimi i tyre mbasi kanë qene jashtë juridiksionit tonë. Për 21 raste të tjera ankesat kanë pasur si objekt shpejtimin e gjykimit ose është kërkuar ndihma dhe ndërhyrja jonë për uljen e masave të dënimit të dhëna nga Gjykatat e Faktit, ose na janë kërkuar ndërhyrje për dhënie e kopje vendimi për të ushtruar rekurs brenda afatit ligjor, mbasi ka përfunduar gjykimi dhe nga gjyqtarët nuk janë arsyetuar vendimet, për dhënien e vërtetimeve të ndryshme gjyqësore”, thuhet në raportin e Avokatit të Popullit, ku më pas publikohen disa prej rasteve ekstreme të shkeljes së të drejtave të qytetarëve nga togat e zeza të Shkallës së Dytë. Kryeqytetasi A.B. është ankuar ndaj Apelit në Tiranë, për zvarritje pa shkaqe ligjore në gjykimin e një çështje civile. Nga verifikimi rezultoi se Apeli ka marrë në shqyrtim ankesën e bërë duke vendosur prishjen e vendimit të Faktit, dhe pushimin e gjykimit të çështjes. “Ky gjykim rezultoi se është zhvilluar nga Gjykata e Apelit Tiranë, në mungesë duke u mjaftuar me shpalljen e listës së gjykimit”, thuhet në raport ku shtohet se në rastin konkret ankuesi u sqarua nëse ka pretendime ndaj këtij vendimi ka të drejtën e rekursit brenda 30 ditëve në Gjykatën e Lartë, dhe ky afat i fillon nga dita e komunikimit të vendimit gjyqësor. Po kështu, thuajse për të njëjtin problem është ankuar te Avokati i Popullit kryeqytetasi tjetër A.I. i cili pohon se Apeli ka gjykuar në mungesë një çështje civile. Nga verifikimi i bërë rezultoi se kjo çështje është gjykuar në mungesë nga Apeli duke u mjaftuar me njoftimin e shpallur vetëm në listat e gjykimit dhe nuk janë bërë njoftimet zyrtarisht për datën dhe orën e gjykimit. Zgjidhja e dhënë nga Avokati i Popullit ka qenë sqarimi se ndaj këtij vendimi mund të ushtrohet rekurs në Gjykatën e Lartë, duke parashtruar para saj të gjitha shkeljet që pretendohen se janë kryer nga gjykata. Avokati i Popullit përmend se ankuesi A.Z. nga Mati është ankuar ndaj Apelit në Tiranë për zvarritje gjykimi pa shkaqe ligjore. “Nga shqyrtimi i ankesës rezultoi se Apeli ka shqyrtuar në mungesë çështjen penale ndaj ankuesit dhe në përfundim të gjykimit është vendosur lënia në fuqi të vendimit të Faktit, e cila i ka njohur një dënim që në fakt ishte amnistuar”, përfundon raporti duke shtuar se qytetari ishte orientuar të ankohej me anë të një avokati privat në Gjykatën e Lartë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›