Apeli i LSI-së: Të nderuar deputetë, ndiqni "dyshen" Rama-Berisha
Lëvizja Socialiste për Integrim u bëri dje apel deputetëve socialistë e demokratë të votojnë kundër ndryshimeve kushtetuese të dyshes Rama-Berisha. Sipas sekretarit të përgjithshëm të LSI, Petrit Vasili, miratimi i tyre është një atentat i vërtetë që po u bëhet zgjedhjeve të lira në Shqipëri. LSI paralajmëron se do të përshkallëzojë qëndrimin e saj nëse këto ndryshime miratohen. Vasili pohon gjithashtu se përgjigjja do të merret nga elektorati, i cili nuk mund të bëhet pjesë e procesit zgjedhor të manipuluar që në nisje nga dyshja PD-PS. Megjithatë, sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, pavarësisht miratimit apo jo të ndryshimeve kushtetuese, paralajmëron një fitore spektakolare të LSI-së dhe të majtës për integrim në vitin 2009. LSI distancohet prerë nga të gjitha ndryshimet kushtetuese tërësisht të papërgjegjshme, të rrezikshme dhe të paprecedenta. Këto ndryshime cilësohen thjesht dhe vetëm afera të rrezikshme të dy individëve dhe grupeve që ata përfaqësojnë dhe realizohen vetëm në funksion të interesave të ngushta personale dhe politike të Kryeministrit dhe kryetarit të PS-së. LSI vlerëson se thelbi i ndryshimeve të propozuara ka të bëjë me eliminimin real të institucionit të Presidentit të Republikës, institucion që ka demonstruar qëndrueshmëri dhe ka gjeneruar normalitet pas vitit 1997. LSI, në mënyrë të vendosur vlerëson se ndryshimet e Kushtetutës lidhur me reformën zgjedhore kërkojnë që të legjitimojnë deformimin e madh të votës dhe vullnetit të shqiptarëve.