E Diel, 1 Nëntor 2026

Leskaj: Kryesia dhe grupi "ok" me ndryshimet

Partia Socialiste mblidhet dje në mesditë në Kryesinë për të diskutuar lidhur me qëndrimin në seancën e pasdites. Pas kupolës rozë u mblodh edhe grupi parlamentar i socialistëve. Kryetarja e këtij forumi, Valentina Leskaj, tha se diskutimet kishin të bënin me ndryshimet kushtetuese. "Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, ka diskutuar ndryshimet, pra paketën që është ofruar lidhur me ndryshimet kushtetuese", sqaroi Leskaj. Sipas saj, deputetët janë unikë në qëndrimin e tyre, për sa i përket votës në Parlament, për të miratuar këto përmirësime në sistemin kushtetues. "Natyrisht, grupi parlamentar ka gjykuar që kjo seancë, është një seancë, e cila ndan një herë e mirë sistemin politik dhe Shqipërinë, nga një sistem i cili ka sjellë deformime dhe probleme të mëdha në këtë vend", nënvizoi Leskaj. E pyetur lidhur me votën kundër të deputetit Petro Koçi, ajo vlerësoi se "është e drejtë e tij të deklarojë votën për vete". Ndërsa shtoi se prononcimi i saj publik ka të bëjë me qëndrimin e grupit parlamentar, i cili në mënyrë unike është deklaruar në mbështetje të paketës së propozuar për ndryshimet në Kushtetutë. Vetë deputeti Petro Koçi deklaroi dje se Kushtetuta nuk mund të përdoret si një letër higjienike, ndërsa deklaroi votën e tij kundër paketës së propozuar. Vendimin unanim të konstatuar prej Valentina Leskajt duket se nuk do ta njohin edhe tre deputetë të tjerë të selisë rozë. Ata janë Fatos Nano, Elmaz Sherifi dhe Luan Memushi. Ata nuk kanë firmosur as propozimet e Partisë Socialiste sa i takon sistemit zgjedhor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›