E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli i Lohan: Pa zgjidhur çështjen e pronave s'ka BE

 

Fabiola Çela

Qeveria duhet të zgjidhë problemet me titujt e pronësisë, ndryshe vendi nuk do të mund të bëhet pjesë e Bashkimit Europian. Mungesa e titujve të pronësisë mban peng investitorët e huaj, të cilët janë të pasigurt për të investuar paratë e tyre në Shqipëri. Ky është mesazhi i përcjellë nga ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan, gjatë një seminari të zhvilluar dje. Problemet me titujt e pronësisë janë pranuar edhe nga vetë përfaqësuesit e qeverisë të pranishëm në seminarin e mbështetur nga Bashkimi Evropian me temë "E drejta e pronës: instrumente dhe zgjidhje të mundshme për qeveritë për të zvogëluar kostot e shkëmbimit nga pikëpamja e investimeve të huaja të drejtpërdrejta".
Pronat
"Titujt e qartë dhe ligjorë të pronësisë, janë esencialë për prosperitetin e një vendi. Ato janë esenciale për tërheqjen e investimeve të huaja direkte, për paqe sociale dhe e fundit, por jo për nga rëndësia, janë faktorë të rëndësishëm për integrimin e Shqipërisë në BE", u shpreh Lohan. Në fjalën e tij ai theksoi gjithashtu se "turizmi, i cili është një nga sektorët më të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë, vazhdon të vuajë lidhur me pasigurinë e titujve të pronësisë. Potenciali i bregdetit shqiptar është identifikuar kohë më parë dhe ka tërhequr investitorë të huaj, megjithatë disa investime në bregdet mbeten të fragmentuara për shkak të problemeve me titujt e pronësisë". Sipas tij, shumë familje shqiptare janë përballur me problemin e pronësisë, ku kanë përfunduar edhe në raste dhune. Ai theksoi se zgjidhja e këtij problemi është thelbësore për zhvillimin e vendit. Ndërkohë një problem i tillë është pranuar edhe nga vetë qeveria. "Ky problem nuk ka për të patur një zgjidhje të shpejtë për dy apo tre vitet e ardhshme", u shpreh zëvendësministri i Ekonomisë, Eno Bozdo. Sipas tij, METE ka marrë disa iniciativa që tentojnë të zbusin këtë problem. "Ka kontrata reale për ngritjen e parqeve industriale dhe qeveria shqiptare ka luajtur rolin e garantit për sipërfaqet e parqeve industriale, përsa i përket titullit të pastër të pronësisë. Janë 4 kontrata të nënshkruara për parqe industriale dhe të tjera që pritet të vijnë, por kjo nuk është e mjaftueshme, pasi ne mendojmë që ka mënyra dhe rrugë të tjera për të trajtuar një problem kompleks, siç është ai i pronësisë", tha ai. Ekspertë nga vende të ndryshme të BE-së, përfshirë ata të vendeve ish-komuniste si Republika Çeke dhe Polonia, do të shkëmbejnë përvojat e vendeve të tyre duke paraqitur studime të rasteve mbi tema si blerja e tokës në mbështetje të investimeve të huaja të drejtpërdrejta në zonat industriale në Republikën Çeke, traktate dypalëshe investimi si një garanci për të drejtat e pronësisë së investitorëve, kuadri ligjor polak për blerjen e tokës nga investitorë të huaj, blerja e tokës në kuadër të investimeve të huaja të drejtpërdrejta në Poloni, blerja e tokës për qëllime publike në Poloni, si edhe procesi i blerjes së tokës nga vendasit dhe të huajt në Greqi. Sipas ekspertit çek, Pavel Chovanac, "në Çeki është bërë një punë e madhe 5-vjeçare lidhur me çështjen e Titujve të Pronësisë, e cila përfundon këtë vit dhe e drejta e pronësisë do të lejohet për të gjithë nënshtetasit e BE-së".

Investimet e huaja, 600 milionë euro
Në vitin 2005 investimet e huaja direkte në Shqipëri ishin 225 milionë euro, ndërkohë që këtë vit ne presim që kjo shifër të jetë 600 milionë euro, pra është një rritje më shumë se 2.5 herë. Sipas raportit të fundit të Bankës Botërore "Të bësh biznes në Shqipëri", Shqipëria renditet i dyti në botë për cilësinë dhe shpejtësinë e reformave, ndërsa në një tregues të veçantë ajo renditet e 14 në botë për mbrojtjen e investitorëve të huaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›