Gripi,dynden urgjencat 300 fëmijë çdo ditë
Dyndje në urgjencat pediatrike. Vetëm në spitalin “Nënë Tereza dje janë paraqitur dje 300 fëmijë për të marrë asistencë mjekësore. Nëse atyre do t’u shtohen edhe të rriturit, bilanci arrin në 500 persona që paraqiten në urgjenca. Virozët gripalë po arrijnë pikun e tyre. Specialistët ngrenë alarmin se epidemia është fare pranë. “Aktualisht, numërohen më shumë se 10 mijë të prekur nga gripi dhe pritet rritje e mëtejshme e rasteve. Nëse arrijmë në 13 mijë të sëmurë, atëherë vendi është përfshirë nga epidemia”, sqarojnë specialistët e Institutit të Shëndetit Publik. Sipas tyre, në vendin tonë qarkullojnë tre viruse gripi, të cilat si në çdo vit kanë mbërritur nga vendet aziatike dhe që vaksina antigrip i përmban. Ndërkaq, nga të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë, rezulton se numri i shtrimeve është 10 herë më i lartë. “Gjithashtu, konsumi i medikamenteve të tërhequra nga farmacia është rritur me 15 për qind”, pohojnë burime nga ky dikaster. Po t’i referohesh rasteve në Evropë dhe situatës në të njëjtën periudhë kohore të vitit të kaluar, shqiptarët këtë vit kanë pasur imunitet më të fortë. Virusi që prej disa javësh ka “pushtuar” shtetet fqinje, duke numëruar qindra-mijëra raste, nuk ka goditur masivisht tek ne. Në dimrin 2007-2008 epidemia gripale filloi që në muajin nëntor, duke arritur në janar e shkurt deri në 30 mijë të prekur në javë. Simptomat e para të gripit janë këputje, dhembje koke, dhembje kyçesh, temperaturë, djegie të fytit, apo edhe shqetësime gastro-intestinale. Për fëmijët e vegjël, mjekët këshillojnë shmangien sa më shumë të antibiotikëve, në rastet kur janë prekur nga viroza. ”Këto medikamente duhet të merren vetëm me recetën e specialistit”, pohojnë ata. Një tjetër këshillë është marrja e vitaminave dhe një dietë e shëndetshme ushqimore. Sipas tyre, duhet që me të vegjlit të tregohet më shumë kujdes, pasi nga një grip i thjeshtë mund të kalojnë edhe në ftohje me pasoja të rënda për shëndetin.
Simptomat
temperaturë e lartë
rrufë
ethe
dhembje koke
dhembje kyçesh
të vjella
kollë e fortë
keshillat
Përdorimi i paracetamolit,
Vitaminës C,
çajit dhe lëngjeve të frutave.
Shmangia e antibiotikëve.
Shmangia e kontakteve me persona të sëmurë,
Evitimi i ambienteve të ftohta,
Të veshurit trashë, por jo në mënyrë të ekzagjeruar