“Thesari s’do çelë fondin për Bashkinë”
zirina llambro
"Fondi i buxhetit të Bashkisë të Tiranës për këtë vit nuk mund të lëvrohet pa vendimin e Këshillit Bashkiak. "Me këtë deklaratë, prefekti Ruzhdi Keçi i cili vë vulën përfundimtare në këtë proces analizon votimin e tri ditëve më parë. Ai e cilëson atë të pavlefshëm.
"Dega e thesarit Tiranë s'mund të lëvrojë fondin e buxhetit pa vendimin e këshillit, është e pamundur pa një vendim të Këshillit të ekzekutohet buxheti. Detyrimisht duhet vendimi i këshillit, ndryshe Bashkia mund ta lëvronte më parë", tha Keçi.
Sipas tij, rregullorja e funksionimit të Këshillit të Bashkisë së Tiranës, në nenin 19 të saj, e ka gjithçka të sanksionuar qartë. Sipas saj, votat numërohen nga Sekretaria e Këshillit dhe rezultatet i jepen kryetarit të tij për t'u deklaruar. Më pas, vendimi i kalon Prefektit për firmën finale, përmes kryetarit të Këshillit Bashkiak. "Për aq kohë sa Kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës e quajti votimin të pavlefshëm, mbledhja është një nul, pra pa vendim", theksoi Prefekti. Në këtë vijë logjike, ai nuk mund të vërë firmën përfundimtare, në mënyrë që të lëvrohet fondi përkatës. "Miratimi i buxhetit të Bashkisë merr fuqi ligjore pasi është konfirmuar për bazueshmëri ligjore nga Prefekti i Qarkut. Buxheti i Tiranës, nëse është miratuar do të vijë dhe më pas do të shprehet prefekti. Mua nuk më ka ardhur asnjë vendim i kësaj mbledhje. Vendimet vijnë nëpërmjet Kryetarit të Këshillit", tha Keçi
Sekretari i Këshillit
Po krejtësisht e kundërt ishte deklarata e Sekretarit të Këshillit Bashkiak, Vladimir Gjonaj. Duke shpjeguar rolin e drejtpërdrejtë të këtij organi të këshillit, ai e quajti votimin brenda të gjitha parametrave teknikë dhe plotësisht të rregullt. Sqaroj paraprakisht, se roli im zhvillohet në përputhje me Rregulloren e Funksionimit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, përkatësisht neni 19, i cili saktëson detyrat që kryen Sekretaria e Këshillit. Pika 2, gërma c e këtij neni përcakton shprehimisht se kjo Sekretari "numëron votat e këshilltarëve që marrin pjesë në votim të hapur dhe i njofton Kryetarit rezultatin e tij", ka nënvizuar Gjonaj. Sipas tij, pikërisht në ushtrim të kësaj përgjegjësie, Sekretaria ndoqi si çdo herë tjetër edhe votimin e mbledhjes së të martës. "Pavarësisht klimës së veçantë të tensionit në sallë, nuk hasëm asnjë vështirësi të pazakonshme për të kryer rolin tonë institucional. Në pikëpamje të kuadrit ligjor, procesi i votimit u hap dhe u krye normalisht, qoftë nga ana e prezencës së domosdoshme ligjërisht, qoftë për sa i takon lexueshmërisë krejt të qartë të vullnetit të shprehur me votë", sqaroi Sekretari i Këshillit Bashkiak. Ai shtoi se në votim morën pjesë 53 këshilltarë dhe 29 këshilltarë votuan Pro miratimit të buxhetit të Bashkisë së Tiranës për vitin 2009. "Unë dhe Sekretaria pas numërimit, si zakonisht ia raportuam rezultatin, Kryetarit të Këshillit për të bërë shpalljen e vendimit të marrë nga Këshilli", thuhet në deklaratë. Në të thuhet se fillimisht, rezultati i votimit u pranua nga Kryetari i Këshillit, por vetëm pak më pas, ai shpalli çuditërisht parregullsinë e votimit, gjë që ndodh për herë të parë dhe që në fakt është plotësisht e pavlefshme, në kuptimin e rregullores së funksionimit të Këshillit Bashkiak. Kjo sepse sipas Gjonajt, detyrën e numërimit zyrtar të votave dhe nxjerrjes së rezultatit zyrtar e ka vetëm Sekretaria e Këshillit dhe askush tjetër që mund të numërojë për hesapin e tij. "Kështu, në konformitet të plotë me ligjin dhe rregulloren e funksionimit, zyra e Këshillit Bashkiak ka përfunduar punën e saj edhe për këtë mbledhje, duke bërë zbardhjen e materialit të buxhetit, të miratuar për vitin 2009, të cilin ia ka vënë në dispozicion për firmë Kryetarit të Këshillit Bashkiak", tha Gjonaj