Debate në Kuvend për buxhetin, Patozi: Rama, mentalitet stalinist
Kriza e votave në buxhetin e Tiranës dhe debatet për fondet e Tiranës zhvendosen në Parlament. Demokratët akuzuan ashpër qëndrimin e mbajtur në mbledhje nga ana e kryebashkiakut, liderit të PS-së, Edi Rama, duke e cilësuar si bllokues. "Unë do të ndalesha në dy momente në konceptin stalinist që kryetari i opozitës ka për votën, dhe ne që po kërkojmë të shkojmë drejt zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe me standarde duhet ta shikojmë atë si një kërcënim për arritjen e tyre", deklaroi Patozi. Ai theksoi se "ajo që na shqetëson ne është një mentalitet stalinist, që thotë ju votoni se ne do t'ju numërojmë. Për fat keq partia që kërkon standarde ka këtë koncept për votën e lirë të shqiptarëve". Patozi theksoi se "dilema e Edi Ramës të lërë bashkinë, për t'u bërë deputet, do të marrë fund më 28 qershor, pasi do t'i humbë të dyja dhe Bashkinë dhe Kuvendit". Kryetarja e grupit të PS-së, Valentina Leskaj, në reagimin saj theksoi se "buxheti i bashkisë është miratuar dhe se ai është i të gjithë shqiptarëve". "Nuk e kuptoj se si maxhoranca mërzitet kur buxheti votohet. Unë prisja që ju të kërkonit falje për sjelljen e padenjë dhe pa etikë, dhe të gëzoheshit për buxhetin e qytetarëve të Tiranës. Të gjitha të tjerat s'kanë asnjë vlerë. Të jeni të sigurt që përgjigjen do ua japin shqiptarët në qershor, jeni të humbur dhe s'besoj se do ta fitoni me presione", tha Leskaj. Ndërsa Kryeparlamentarja Topalli u shpreh se "nuk kemi parë kur ndonjëherë që votat të mos i numërojë Kryetari i Parlamentit. Ajo që ndodhi atë ditë është një turp i madh, është nocioni që Kryetari i Bashkisë ka për votën. S'ka, unë votoj dhe unë numëroj. Pse, Edi Rama do numërojë votat e shqiptarëve më 28 qershor? Harrojeni!", tha Topalli.