E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Rama me 29 vota bashkë me 2 breshkat e tij

 

Kreu i LSI-së e ka cilësuar votimin e buxhetit të Bashkisë së Tiranës jo politik, por përpjekje për të përmbushur interesat e qytetarëve të Tiranës. Sipas tij, "29 votat që kreu i Bashkisë numëroi gjatë mbledhjes, janë bashkë me breshkat që ai mban në zyrë". "Ramës i dolën 29 vota, ndoshta sepse ka pasur parasysh dhe dy breshkat që mban në zyrën e tij. Por ato nuk janë votuar nga qytetarët e Tiranës dhe nuk janë pjesë e Këshillit". Sipas tij, votimi nuk ishte politik. "Nuk ka asnjë dëm qyteti i Tiranës nga propozimet e këshilltarëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Përkundrazi, qyteti dhe qytetarët e Tiranës do të jenë shumë më të sigurt për destinacionin e taksave që ata paguajnë, që ato shkojnë pikërisht pranë komunitetit, ku janë problemet më të mëdha e më të mprehta për ta", tha Meta. Kreu i LSI-së akuzoi median që nuk ka shprehur me realitet situatën në Bashkinë e Korçës. "Problemet e Tiranës, problemet konkrete, ato të Durrësit, ato të Korçës, ato të Beratit, ato janë probleme të cilat nuk kanë nevojë për t'u politizuar dhe nuk kanë të bëjnë me qëndrime të caktuara politike, përkundrazi. Më thoni një rast tjetër ku ekziston ky problem që ka dalë në kryeqytet prej dy muajsh me projektbuxhetin. Ju më përmendi rastin e Korçës. Atëherë unë detyrohet t'ju them se jeni viktimë e një manipulimi të disa mediave, pasi këshilltarët e LSI-së në qytetin e Korçës, jo vetëm kanë votuar pro në Komisionin e Ekonomisë për buxhetin pas sugjerimeve që ata kanë dhënë, por kanë qenë të gjithë prezentë në mbledhjen e Këshillit, pavarësisht se aty nuk është bërë votim për arsye se nuk ka patur kuorumin e domosdoshëm kryetari i bashkisë dhe Këshilli Bashkiak për të filluar mbledhjen. Por, ky nuk ka qenë dhe nuk është faji dhe problemi i LSI-së", tha Meta. Meta akuzoi kreun e Bashkisë Tiranë se ngatërron funksionet që ka. "Më vjen keq, por politizimi ekstrem i buxhetit të bashkisë vjen vetëm prej kryetarit të Bashkisë së Tiranës, i cili, për fat të keq, nuk arrin ende të ndajë funksionin e kryetarit të Bashkisë dhe mënyrën e detyrimin se si duhet të sillet si kryetar bashkie, me faktin që është kryetar i Partisë Socialiste dhe se si duhet të sillet për të realizuar aspiratat apo qëllimet politike të kësaj partie. Kështu që, Lëvizja Socialiste për Integrim di t'i ndajë këto gjëra dhe më duket se kjo ka qenë tepër evidente", tha Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›