E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli i Ndreut: Kastriot, është koha për të mos gabuar më!

Nga FATMIR THAÇI

Skuadra krutane ka marrë vetëm gjashtë pikë në katër javë kampionat, ku tri prej këtyre takimeve i ka zhvilluar në stadiumin e saj, në Krujë. Për një ekip si Kastrioti, që e filloi këtë garë me një pretendim shumë të madh, duken pak, por mënyra se si ka nisur kjo superligë, kur kryesuesi është vetëm tri pikë larg tyre, pozicioni në të cilin ndodhen në tabelë duket komod. Edhe për trajnerin Ndreu nuk ka asgjë për t`u alarmuar, pasi superliga është vetëm në fillimin e saj. Do të duhet edhe pak kohë që pretendentët e vërtetë të shfaqen realisht, ndoshta pas dy javësh, ndoshta më tepër se kaq. Gjithsesi, për trajnerin krutan, Ramadan Ndreu, tashmë është koha që Kastrioti të mos gabojë më, sidomos në fushën e vet. Për një pretendent, kjo do të ishte totalisht e pafalshme, ndërkohë që duhen synuar me patjetër pikët edhe në transfertë. Të tilla objektiva, – sipas Ndreut, – Kastrioti i ka plotësisht të mundshme , sepse ka në dispozicion një grup futbollistësh cilësorë, që përfaqësojnë kualitete edhe në stolin e rezervave. Pikërisht për një shkak të tillë, unë shpreh bindjen time të plotë se nuk do të ndihem kurrë në siklet për të ndërtuar një formacion fitues, edhe kur kartonët, apo dëmtimet të privojnë mundësinë e aktivizimit të një apo më shumë titullarëve.

Pretendentët Lidhur me skuadrat pretendente të këtij kampionati, ku edhe ne kemi ambiciet tona legjitime dhe të bazuara në investimin serioz të presidencës, smund të flasësh me siguri tani për tani. Sipas përvojës, gishtin mund tia drejtosh njërit apo tjetrit për favorit pas shtatë apo tetë javësh kampionat. Në këtë stacion të garës e në vazhdim mund të shihet qartë se nga anon peshorja e titullit. Në këtë moment duhet vënë në llogari edhe vlera e investimeve dhe saktësia e përzgjedhjeve të elementeve të cilësdo skuadër, të cilitdo trajneri.

Bylisi I pyetur për takimin e radhës, që Kastrioti do ta luajë në Ballsh, trajneri Ndreu deklaron: Është vërtet një transfertë e vështirë, sepse kundërshtari i radhës jo vetëm luan në fushën e tij, por më shumë është një pretendent tjetër në superligë, ashtu si ne. Bylisi, sidomos në fushën e vet, i ka pikët të shtrenjta. Megjithatë, ne po përgatitemi me të gjithë seriozitetin e duhur, me një objektiv të vetëm në mendje, për të marrë më të mirën e mundshme. Fitorja e fundit me Vllazninë na ka rritur moralisht, kështu që do të tentojmë të mos dalim pa pikë nga Ballshi.

Përgatitjet Ndërkohë, skuadra krutane vazhdon të stërvitet me ngarkesë të plotë, përveç Xhihanit, i cili mendohet t`i bashkangjitet grupit pas të hënës. Në mesjavë ,traneri Ndreu, në vend të seancës stërvitore ka preferuar të zhvillojë një ndeshje miqësore me Skraparin, të cilën e ka fituar 3-2. Nisur edhe nga emrat e lojtarëve të aktivizuar, u pa qartë se më shumë se sa për rezultatin, tekniku Ndreu ishte i interesuar të vëzhgonte në kushte reale formën e disa prej futbollistëve, të cilët, duke qenë në stolin e rezervave, janë edhe kontigjent për të plotësuar formacionin sa herë që ai do ta ketë të nevojshme. Dhe në fakt, përveç Inkangos, që shënoi golin e parë, autorë të fitores ndaj skraparlinjëve ishin Tepshi dhe Lleshi, të cilët nuk kanë qenë titullarë në katër javët e para të kampionatit, por vazhdojnë të kenë besimin e Ndreut.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›