Nëndetësja në cektinë, stërvitet në pishinën e kompleksit
Blutë vazhdojnë përgatitjet përpara sfidës së javës së ardhshme ndaj Shkumbinit të Peqinit. Trajneri Faruk Sejdini, së bashku me stafin e tij, kanë punuar edhe ditën e djeshme, pavarësisht shiut të pandalshëm. Siç dihet, blutë duhet të përfitojnë ndaj efektit kohë, pasi i kanë nisur me shumë vonesë përgatitjet e tyre. Por e veçanta e kësaj seance stërvitore ka qenë e lidhur me kushtet në të cilat është stërvitur ekipi i Dinamos. Një pamje vërtet skandaloze: futbollistë që zhvishen në shi, skanë ku të lahen. Panorama vjen e plotësohet kur fusha e futbollit me bar sintetik zë e kthehet në një pishinë të vërtetë. Të vjen keq të shikosh kur gjatë ndeshjes së kontrollit për disa minuta, topi ngec pafund, duke mos lejuar lojtarët të veprojnë lirisht në aksionet e tyre. Është e vërtetë se këto terrene stërvitore nuk duan bukë e ujë për të jetuar, por sigurisht dikush duhet ti mirëmbajë për të krijuar kushtet e duhura stërvitore për ekipet që ushtrohen në këtë kompleks. Për të mos folur për fushën e vjetër me bar natyral, e cila tashmë vetëm jeshillëk nuk ka në brendësinë e saj. Ky terren stërvitor është shkatërruar plotësisht, duke dhënë përshtypjen e një livadhi për vetë gropat e shumta që ka brenda kuadratit të blertë. Është vërtetë e turpshme të shikosh problemet e njëpasnjëshme të Dinamos në këto ditë të vështira, ku krahas luftës nga armiqtë shqiptarë, ka edhe dënimet e saksionet e FIFA-s. Nëse ky institucion i lartë i futbollit ka të drejtë në vendimet e tij, duke zbatuar ligjet, në krahun tjetër Agjencia e Sporteve shikon nga syri i saj magjik vetëm në njërin krah, pra në interesat e saj për të bërë të ditur kriteret financiare për lejimin e stërvitjes në komples. Por për të mirëmbajtur dhe krijuar kushtet për stërvitjen e ekipeve të futbollit, askush nuk bën asnjë hap.
Renato Malota Futbollisti i Dinamos po kalon një problem të lehtë muskular dhe si pasojë është stërvitur i diferencuar. Duhet thënë se stërvitja e këtyre ditëve, duke përfituar nga pauza e kampionatit, ka qenë tepër e fortë. Lojtarët ankohen për ngarkesa, por në krahun tjetër edhe trajneri Faruk Sejdini dhe stafi i tij teknik janë të detyruar për të përfituar në kohë, pasi siç dihet Dinamo e ka nisur stërvitjen vetëm 3 ditë përpara premierës së kampionatit.
Orari i stërvitjes Nga stafi dinamovit është kërkuar të afrohet orari i stërvitjes, pasi gjatë kësaj kohe, blutë, duke nisur në orën 17:00, skanë pasur kohën e duhur për të plotësuar programin stërvitor. Duke filluar që nga dita e hënë, orari mund të zhvendoset rreth një orë e gjysmë më herët, por sigurisht për këtë vendim duhet miratimi i stafit të Agjencisë së Sporteve, e cila ka në dorë oraret stërvitore dhe menaxhimin e fushave.
Dinamo: Bodrusiç ska respektuar rregulloren
Pas lajmit të bërë publik lidhur me penalizimin tripikësh të bluve, dinamovitët kanë sqaruar gjithçka, sipas këndvështrimit të tyre, lidhur me futbollistin Dario Bodrusiç. Kroati është aktivizuar në radhët e Dinamos gjatë sezonit 2007-2008 duke u shpallur kampion, ndërkohë që pas largimit nga Rijeka e Kroacisë, Bodrusiç është rikthyer sërish te Dinamo në vitin 2009. Në fund të sezonit, ai është larguar përpara sfidës së fundit të bluve, pa lejen e klubit. Për këtë vendim, zyrtarët e klubit të Dinamos kanë marrë masa, duke vendosur një saksion ndaj futbollistit për largim jashtë rregullave të klubit, përpara afatit të caktuar në kontratën e firmosur midis dy palëve. Më 5 tetor, institucioni më i rëndësishëm i futbollit, FIFA, ka dërguar një shkresë në Federatën Shqiptare të Futbollit, duke bërë të ditur gjithçka. Në këtë shkresë është paraqitur si vendim ekstrem heqja e tri pikëve nga tabela e klasifikimit të bluve. Bëhet fjalë për shumën e 5000 eurove, që Dinamo nuk ia ka shlyer lojtarit kroat. Por pala dinamovite pretendon se e ka sanksionuar me këtë shumë futbollistin në fjalë për mosrespektim të kontratës. Gjërat do të kalojnë në instanca të tjera, pasi blutë janë gati të apelojnë këtë problem, i cili ende nuk ka sjellë penalizimin me pikë të ish-kampionëve të Shqipërisë. Ndërkohë, sipas shkresës së dërguar nga FIFA drejt FSHF-së, gjërat janë të sqaruara dhe dinamovitët do të kenë -3 në tabelën e klasifikimit. Pavarësisht pretendimeve të bluve, ata duken vërtetë të pashpresë në kërkim e të drejtës së tyre.
