Apeli i PS-së: Të zhbllokohen hetimet për Gërdecin
Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste shpreh shqetësimin për pengesat që po u shkaktohen procedurave të hetimit për të zbardhur të vërtetën e tragjedisë së Gërdecit. Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe, akuzoi kryeministrin Berisha si dhe kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, se jo vetëm që po ushtrojnë presion, por edhe po shkaktojnë pengesa në veprimtarinë hetimore të Prokurorisë së Përgjithshme për këtë çështje. “Qysh më 25 prill 2008, prokurorja e Përgjithshme ka kërkuar nga Kuvendi leje për të thelluar hetimet duke ringritur lart në rangun e përgjegjësve politikë dhe shtetërorë, me kërkesë për procedim penal ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes. Sot jemi një muaj më pas dhe qëllimisht nën interesin e drejtpërdrejtë, presionin po të tillë të Sali Berishës në Kuvend, nuk është kryer asnjë veprim procedural, ndërkohë që është bërë çdo veprim burokratik për të penguar drejtësinë të ndëshkojë ligjërisht. Pasoja e këtij veprimi të qëllimtë nuk është thjesht stopimi i hetimeve”, - tha Braçe. Ai akuzoi kryeministrin Berisha se po përpiqet të mbyllë çështjen “Gërdeci”. “Nuk pajtohemi me faktin që kryeministri më i korruptuar në Europë ta klasifikojë krimin shtetëror të Gërdecit, çdo mbledhje qeverie, si aksident teknologjik. Pas çdo përpjekje, Sali Berisha nuk mund të shlyejë faktin se ishte përfshirë familjarisht në krimin e Gërdecit. Pikërisht për këtë arsye, në emër të atyre njerëzve që kanë humbur jetën në Gërdec, vazhdojmë të apelojmë, për të çliruar hetimin nga pengesat e qëllimta kriminale në Kuvendin e Shqipërisë”, - vijoi Braçe.
Ai theksoi se qeveria nuk ka bërë asgjë konkrete për të rimbursuar banorët që u dëmtuan nga shpërthimi i Gërdecit, ndërkohë që akuzoi kryeparlamentaren Topalli se ka penguar nismën e deputetëve socialistë për projektligjin e kompensimit të banorëve të dëmtuar nga kjo tragjedi. “Kërkojmë që projektligji i paraqitur prej nesh të hyjë sa më parë në punën e komisioneve, veçanërisht të Komisionit të Ekonomisë dhe Çështjeve Sociale, për t’ju dhënë mundësi të gjithë të dëmtuarve në Gërdec që së pari ta përcaktojnë vlerën e dëmit vullnetarisht dhe së dyti, qeveria t’i shpërblejë qindarkë për qindarkë, të atij dëmi, që ata njerëz e vlerësojnë të tillë”, - tha deputeti socialist, Erion Braçe.
27 Maj 2008