Legalizimet, kompensimi për ish-pronarët pas 6 muajsh
Deputetët demokratë kanë vendosur gjithçka vetë në lidhje me ligjin e rikthyer të legalizimeve. Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese ka votuar përfundimisht projektligjin e ri, i cili parashikon që ish-pronarët do të kompensohen të paktën gjashtë muaj pasi janë legalizuar ndërtesat e banorëve që kanë ndërtuar mbi pronën e tyre. Ky afat është dyfishi i afatit me të propozuar nga republikanët (për kompensimin pas tre muajve) me të cilin Partia Demokratike u duk sikur ra dakord parimisht. Por ecuria e mbledhjes së djeshme të Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese ka treguar se demokratët janë të vendosur që të çojnë për votim variantin e tyre. Nga ana tjetër, grupi kryesor i interesit, ish-pronarët, e shohin projektligjin e ri si shumë kaotik dhe aspak të efektshëm. Ata janë shprehur paraprakisht se ligji nuk ka përcaktuar me detyrim se kur do të përfundojë kompensimi i plotë për ish-pronarët. Një pikë nevralgjike, sipas tyre, është fakti se amendimet parashikojnë që fillimisht lista e kompensimit të kalojë në Këshillin e Ministrave e më tej të kalojë për kompensim. Për ish-pronarët kjo është një procedurë që vetëm sa i zvarrit përpjekjet e tyre për kompensim. Ish-pronarët shprehen të sigurt se afati prej gjashtë muajsh është i pazbatueshëm, pasi në proces janë disa institucione duke bërë që procesi të ketë zvarritje kur ligji nuk vendos detyrime të qarta. Sipas tyre, në të vërtetë kompensimi do të vazhdojë me vite të tëra dhe jo gjashtë muaj pas legalizimit”. Ndërkohë që republikanët, ndonëse janë treguar shumë aktivë për të gjetur një konsensus në hartimin e këtyre amendimeve, pas miratimit të ndryshimeve vetëm nga demokratët nuk kanë reaguar. Më i shpejtë ka qenë reagimi i opozitës, e cila i ka kundërshtuar këto amendime pasi nuk u votua kërkesa e tyre për të pasur kompetenca edhe pushteti vendor në këtë proces. Deputet e opozitës kërkuan që pushteti vendor të ketë një afat prej 2 muajsh që të kryhet puna e verifikimeve, por deputetët e maxhorancës dhanë një afat vetëm një muaj për verifikimin. “Ne nuk e miratuam dhe do ta kundërshtojmë pasi nuk u miratuan kompetencat e pushtetit vendor”, - tha Ylli Bufi, ndërsa demokrati Rexhep Uka, i ka konsideruar deklaratat e socialistëve si sajesa.
Kompensimi
Sipas amendimeve të miratuara në komision, Këshilli i Ministrave miraton brenda një afati prej 30 ditësh të gjithë listat e ndërtimeve informale. Zyrat rajonale të Agjencisë së Pronave kompensojnë subjektet brenda gjashtë muajve në përputhje me vendimin e qeverisë për shpërblimin e pronarëve. Për efekt të përllogaritjes së sipërfaqes së parcelës ndërtimore, të zënë nga ndërtimi informal që kompensohet, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në qark e trajton atë si truall, në përputhje me metodikën për vlerësimin e pronës së paluajtshme, që kompensohet, pra sipas hartës së vlerës së tokës. Procesi i legalizimit do të mbledhë edhe një shumë të caktuara parash të cilat do të ndahen për ish-pronarët që toka e tyre është zënë për ndërtime informale. ALUIZNI ka saktësuar vlerat që do të paguajnë pronarët e banesave informale në procesin e legalizimit. Krahas fondit financiar për kompensim do të ketë edhe fond fizik, i cili do të përbëhet nga tokat e lira juridike, por pjesa që do të mbetet do të jetë kompensimi financiar që do të merret nga paratë e legalizimeve dhe buxheti i shtetit.
Pushteti lokal
Mendimet kanë parashikuar që krahas afatit njëmujor për përmbushjen e punës për verifikimin e ndërtimeve informale, pushteti vendor do të ketë të drejtë të mbledhje edhe disa tarifa financiare nga procesi legalizimit. Në bazë të këtij projekti, tarifa e shërbimeve që do të duhet të paguajnë qytetarët e interesuar për legalizimin e objektit të tyre varion nga 1000 deri në 3000 lekë të rinj. Gjithsesi, tarifa e saktë e shërbimit që do të duhet të paguajë një qytetar do të përcaktohet nga këshillat bashkiakë apo të komunave. Tarifa e shërbimeve është një vlerë simbolike që paguhet për të gjithë punën e kryer nga administrata. Përfitimi i parave nga procesi i legalizimit të zonave informale do të kenë një formulë të re të përcaktuar me vendim të ri të Këshillit të Ministrave.
27 Maj 2008