E Shtunë, 31 Tetor 2026

Referendumi, Komiteti nis nesër mbledhjen e firmave

Komiteti Kombëtar për Mbrojtjen e Kushtetutës harton axhendën. Gati depozitimi në KQZ i akt-kërkesës për referendum

Shaban Sulçe
Referendumi për Mbrojtjen e Kushtetutës është në prag të nisjes zyrtare të tij. LSI-ja dhe Komiteti i Mbrojtjes së Kushtetutës do të fillojnë nesër zyrtarisht procesin e mbledhjes së firmave për organizimin e referendumit në mbrojtje të Kushtetutës dhe kundër ndryshimeve që iu bënë asaj gjatë seancës plenare të 21 prillit. Që në ditët e para të krijimit të tij, Komiteti Kombëtar i Mbrojtjes së Kushtetutës është marrë gjatë kësaj periudhe me një fushatë sensibilizimi për rëndësinë e referendumit. Procesi i mbledhjes së firmave kishte mbetur “peng” i botimit në Fletoren Zyrtare të amendimeve kushtetuese. Ndërsa kjo gjë ka ndodhur pikërisht dje, tashmë Komiteti Kombëtar për Mbrojtjen e Kushtetutës do të depozitojë akt-kërkesën pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, proces ky që do të pasohet nga mbledhja e firmave për referendum.
Mbledhja
Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës (KMK) miratoi dje një kërkesë që do t’i drejtohet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, lidhur me organizimin e një referendumi popullor për shfuqizimin e ligjit të amendimeve të Kushtetutës të realizuara më 21 prill në Kuvendin e Shqipërisë me votat e bashkuara të shumicës së deputetëve të PS-së dhe PD-së dhe disa prej aleatëve të tyre. Pritet që ditën e nesërme kjo kërkesë t’i dorëzohet KQZ-së, i cili është
i detyruar sipas ligjit t’i dorëzojë KMK-së (brenda afatit ligjor) formularët tip të nevojshëm për mbledhjen e firmave nga qytetarët.
Firmat
Sipas ligjit, për organizimin e një referendumi që kërkon shfuqizimin e një ligji të miratuar në Kuvend, duhet të mblidhen një minimum prej 50 mijë firmash. Artur Zheji, kryetari i Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës, nënvizoi dje bindjen se qytetarët do të firmosin shumë shpejt formularët duke shprehur edhe njëherë vullnetin e tyre për referendum. “Ne perceptojmë një presion nga një opinion publik gjithnjë në rritje që shpreh dëshirën e organizmit dhe referendumit, duke nënvizuar se në këtë optikë, çdo digë që do të orvatej të pengonte këtë vullnet popullor në rritje do të ishte e dështuar, do të qe një digë prej kartoni”, - tha Zheji.
Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës
Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutë u krijua pak kohë më parë si një bashkim i pjesëtarëve të shoqërisë civile dhe disa partive politike, për të kundërshtuar disa amendime të Kushtetutës, të realizuara sipas një sugjerimi të beftë të PD-së dhe të miratuara në mënyrë urgjente dhe aspak transparente, pa i dhënë mundësi një diskutimi të gjerë dhe të thellë në publik nga konstitucionalistë dhe segmente të shoqërisë civile. Sipas KMK-së, këto amendamente kanë ndryshuar në thelbin e vet Kushtetutën duke rrënuar edhe më tej ndarjen e pushteteve, duke i falur edhe më shumë pushtet kryeministrit Berisha dhe duke e shndërruar Shqipërinë nga një Republikë parlamentare në një “Republikë Kryeministrore”.
Axhenda
Po dje KMK-ja miratoi edhe një axhendë shumë të ngjeshur veprimtarish brenda dhe jashtë vendit, tryezash të rrumbullakëta dhe bisedash me shoqërinë civile, studentë dhe qytetarë në qytete të ndryshme të vendit. Të gjitha në funksion të rritjes së mëtejshme të ndërgjegjësimit masiv qytetar, për nevojën e korrigjimit të asaj që KMK e ka cilësuar si “atentat” kundër Kushtetutës dhe demokracisë liberale në Shqipëri.

Topi dekreton ligjin kundër dhunës në familje

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekretoi të hënën shpalljen e 3 ligjeve të rëndësishme, bëri të ditur zyra e shtypit pranë Presidencës. Në mbështetje të Kushtetutës, presidenti Topi shpalli me dekrete të veçanta disa shtesa në ligjin "Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare", si dhe disa ndryshime dhe shtesa në ligjin "Për kuadrin rregullator të sektorit të furnizimit me ujë dhe largimit e përpunimit të ujërave të ndotura", të ndryshuar. Gjithashtu, presidenti Topi dekretoi edhe një shtesë në ligjin "Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit".

27 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›