E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: “Dënim me burg atyre që nuk kompensojnë pronarët”



Çështja e legalizimeve dhe kompensimi i pronave duket se është bërë “thembra e Akilit” për qeverinë “Berisha”. As ndryshimet e herëpashershme në ligjin për legalizimet, as shkarkimet në seri të drejtorëve të Agjencisë së Kthimit e Kompensimit të Pronave nuk po arrijnë t’i kompletojnë këto dy procese. Ajo që vihet re është fakti se qeveria po përpiqet t’u ofrojë tani atyre që kanë bërë ndërtime informale “kulaçin dhe kërbaçin”. Procesi i vullnetarizmit do të bashkërendohet edhe me ndëshkime penale. Gjatë mbledhjes së djeshme të Grupit Parlamentarë të PD-së, kryeministri Sali Berisha deklaroi se për ata që nuk u përgjigjen pronarëve duhet të ketë edhe masa sipas Kodit Penal. “Nëse një person është bërë milioner me pronën e një pronari, duhet t’i përgjigjet atij qindarkë për qindarkë dhe nëse nuk i përgjigjet, atij duhet t’i kthehen në ditë vuajtje dënimi të gjitha dëmet”, - ka nënvizuar Berisha. Përmes kësaj nisme, u shpreh kryeministri, vendoset një kod moral dhe ligjor më i drejtë, ndërsa nënvizoi se “nuk mund të krahasosh qendrën e qytetit me një zonë e cila deri pak vite më parë mund të ketë qenë gëmushë, poligon, apo objekt tjetër”. Kreu i qeverisë nënvizoi, ndër të tjera, se nisma duhet të thellohet edhe më tej dhe të specifikohet në mënyrë që ai person që ka pushtuar truall me pallat, duhet t’i paguajë çdo centimetër, edhe dëmin edhe fitimin, atij personi që ia ka pushtuar truallin brenda vijës së verdhë. Kryeministri Berisha vlerësoi punën e bërë nga deputetët për dy ligje jashtëzakonisht të rëndësishme në reformën e pronësisë; ligjin “Për legalizimet“ dhe ligjin “Për titujt e pronësisë për bujqësinë”. Kryeministri u shpreh se ndryshimet në ligjin “Për legalizimet” marrin në konsideratë më mirë interesat e pronarëve. Por, nga ana tjetër, kryeministri u shpreh se është e domosdoshme që të rivlerësohet nga deputetët çështja e formulës së përcaktimit të çmimit të tokës. “Ky problem i çmimit është bërë një ngërç shumë i madh dhe është shndërruar në një nga pengesat më serioze të zhvillimit të pronës, për shkak të falsifitetit”, - u shpreh kryeministri. “Mendoj se në ligjin ‘Për legalizimet’ janë bërë kompromise të rëndësishme, të cilat përfillin më mirë interesat e pronarëve. Këto rregullime bëjnë disa specifikime të domosdoshme lidhur me ndërtimet brenda vijës së verdhë, por dhe jashtë saj. Në rastin konkret, ndryshimet konsistojnë për ndërtimet brenda vijës së verdhë, për të cilat theksohet se të drejtën ekskluzive dhe të vetme për zhvillimin e zonës do ta ketë pronari legjitim dhe vetëm ai”, - u shpreh kryeministri. Duke nënvizuar domosdoshmërinë e rivlerësimit të formulës së vlerësimit të çmimit të tokës, kryeministri tha se “mund të ketë ndonjë drejtori në Tiranë që pronën e vlerëson 350 mijë lekë dhe me të vërtetë ajo pronë ka atë vlerë ose ndoshta më shumë, por nga ana tjetër, ka territore të tëra të tjera, me qindra e mijëra kilometra katrorë, ku vlera nuk është as 10 euro dhe vlerësohet 150 euro. Kjo ka bllokuar procesin”.
Kryeministri i kërkoi Ministrisë së Financave, Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Bujqësisë, të angazhojnë ekspertët më të mirë, sepse vetëm në çështjen e vlerësimit nuk ka pengesë praktikash. “Ekzistojnë module të gatshme të cilat bëjnë vlerësimin e tokës apo të çdo gjëje. Kjo çështje është emergjente. Çdo javë që kalon, për shkak të mungesës së këtij vlerësimi, dëmtohet procesi i zhvillimit të pronave. Për këtë, këto ministri duhet të nisin menjëherë punën dhe të përcaktojnë në terma realë dhe jo me mashtrime çmimin real të tokës”, - vijoi kryeministri.
Më tej kryeministri vuri në dukje edhe një tjetër çështje që duhet të rishqyrtohet në ligjin për titujt e pronësisë është ajo e taksës së transferimit. “Ekziston edhe një taksë për transferimin, të cilën ne do ta rishqyrtojmë. Në rastin kur kjo taksë i referohet diferencës të vlerës, ajo nuk është shumë e rëndësishme, por kur diferenca nuk vendoset, atëherë kjo taksë bëhet pengesë. Edhe kjo çështje duhet të rishqyrtohet”, - tha kryeministri Berisha

27 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›