Apeli i Topit Nese ska numra ka krize
Presidenti i Republikës, Bamir Topi nuk nguroi që gjatë katër muajve të sesionit të tretë parlamentar t’u bënte thirrje partive politike të shikonin mundësinë e kompromisit për të votuar ligjet që kërkonin 84 vota. Sipas Topit, këto ligje u shërbejnë interesave të shqiptarëve, ndaj palët duhet të lëshojnë nga vetja dhe të arrijnë konsensusin e plotë. Po kështu, Presidenti Topi pak ditë më parë deklaroi se, çdo njeri mund të bëjë më shumë që të forcojë komunikimin, pastaj çështjet e vendimmarrjeve politike janë çështje të numrave, sepse demokracia përkthehet në numra. Topi u shpreh se, në momentin që ke numra, çdo votëbesim kalohet dhe se çdo ligj miratohet. “Në rast se nuk ke numra, - theksoi Topi, - konsiderohet krizë”. “Këto janë kriza të komunikimit, të mungesës së bashkëveprimit për të bërë edhe ligje të përbashkëta. Demokracia është ndërtuar në mënyrë të tillë, që nuk ka vetëm ligje që miratohen me votime të thjeshta. Është ndërtuar në mënyrë të tillë, që për gjëra që janë shumë të rëndësishme, për gjëra që kërkojnë patjetër një konsensus më të gjerë, patjetër kërkohen votime që janë me 3/5, që quhen votime të cilësuara, votim me 2/3, pra, sipas rëndësisë së problemit, sipas nevojës së mbështetjes nga përfaqësime që janë më shumë se gjysma e popullsisë, konsiderohen votime të cilësuara që domosdoshmërisht kërkojnë edhe një konsensus politik”, - ka theksuar Topi në lidhje me situatën e krijuar në Parlament.