U shkarkua nga KLD-ja gjyqtari kerkon 10 vite page dhe njohjen e vjetersise ne pune
Një gjyqtar i Gjykatës së Tiranës ka paditur institucionin ku punon aktualisht, duke i kërkuar pagën e 10 viteve. Ardian Kalia është shkarkuar nga KLD-ja në vitin 2000, pasi inspektorët e Këshillit e kanë gjetur “fajtor” për disa vendime. Masa e KLD-së është lënë në fuqi nga Gjykata e Lartë dhe çështja ka kaluar në Gjykatën Kushtetuese. Kjo e fundit, më 30 prill 2001 ka prishur vendimin. Nga data 30 prill 2001 e deri në vitin 2010, Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk ka marrë asnjë vendim për rikthimin ose jo në vendin e punës për Ardian Kalinë. Pas një kërkese të gjyqtarit, KLD-ja, më datë 15 tetor 2010 rishqyrtoi procedimin disiplinor ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Ardian Kalia dhe vendosi pushimin e procedimit disiplinor, si pasojë e tërheqjes nga ministri i Drejtësisë të kësaj kërkese.
Nisur nga vendimi i mësipërm, gjyqtari në fjalë ka nisur procedurat për rimarrjen e pagave të viteve që nuk ka qenë gjyqtar si pasojë e vendimit të vitit 2000. Në datën 21 dhjetor të këtij viti ai depoziton në gjykatën ku punon aktualisht, pra në Gjykatën e Tiranës, një padi. Çështja mban numrin 15779 dhe objekti është: “Detyrimi i palës së paditur të më paguajë pagat neto të papaguara si gjyqtar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për periudhën kohore 15.07.2000 deri më datë 15.09.2010”. Duket se vendimet e pazbatuara nga drejtësia shqiptare janë në kurriz të taksapaguesve shqiptarë, pasi në rast se Gjykata e Tiranës e pranon këtë kërkesë, do të rezultojë që një gjyqtar të marrë pagën e 10 viteve pa i shërbyer individëve apo vetë shtetit. Gjyqtari Kalia me të drejtë ka kërkuar edhe detyrimin e palës së paditur për njohjen e vjetërsisë në punë si gjyqtar për periudhën 15.07.2000-15.09.2010. Çështja është regjistruar dhe nga shorti elektronik ka rezultuar se gjykimin e kësaj kërkesë do e marrë gjyqtarja Mimoza Kajo.
Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2001, kërkuese Ardian Kalia kërkoi “shfuqizimin si antikushtetues të vendimeve nr.1066, datë 1.11.2000 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë dhe nr.87, datë 15.7.2000 të Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, pasi KLD-ja kishte tejkaluar kompetencat e veta. Gjykata Kushtetuese, duke analizuar shkaqet për të cilat ai ka kërkuar shfuqizimin e këtyre vendimeve, konstaton se vetëm njëri nga këto shkaqe meriton të merret në konsideratë, sepse është i mjaftueshëm për pranimin e kërkesës. Sipas saj, KLD-ja, vendimin për shkarkimin nga detyra të kërkuesit e ka mbështetur në vlerësimet negative që i ka bërë grupi i inspektorëve vetëm gjashtë vendimeve gjyqësore të dhëna nga kërkuesi, ose si gjyqtar i vetëm, ose si anëtar i trupit gjykues me gjyqtarë të tjerë. Del se nga këto vendime, katër prej tyre kanë marrë formën e prerë, tre që nuk janë ankimuar dhe një tjetër që është lënë në fuqi nga instancat gjyqësore më të larta; ndërsa dy vendime të tjerë janë ndryshuar nga Gjykata e Apelit, por vetëm për masën dhe jo për llojin e dënimit. Këshilli i Lartë i Drejtësisë, duke i hyrë vlerësimit të ligjshmërisë dhe bazueshmërisë së këtyre vendimeve gjyqësore të dhëna nga kërkuesi në një kohë që këto kishin marrë formë të prerë, ka vepruar në kundërshtim me përmbajtjen e nenit 135, pika 1 të Kushtetutës.