Mazhoranca miratoi 70 ligje e vetme deshtoi 11 here
Sesioni i tretë parlamentar i kësaj legjislature pritet të mbyllet sot me miratimin e rreth 70 ligjeve, por pa miratimin e asnjë nisme të rëndësishme që kërkon 84 vota. Kriza politike vijoi të qëndronte si hendek ndarës mes palëve, pa i lënë mundësi projektligjeve që prej muajsh qëndrojnë në sirtarët e Kuvendit, të shohin dritën e miratimit. Opozita nuk ka pranuar të votojë ligjet e propozuara nga mazhoranca, dhe i vetmi rast kur në tabelën elektronike janë ndezur dritat jeshile të opozitës ka qenë kur deputetët socialistë kanë pranuar futjen në rendin e ditës të draftit ku parashikohej ngritja e komisionit hetimor për zgjedhjet e shkuara. Nisja e këtij sesioni të tretë të legjislaturës së 18-të në shtatorin e këtij viti, solli me vete edhe shpresën se ngërçi politik mes palëve do të zgjidhej dhe për pasojë, edhe projektligjet që kërkojnë një shumicë të cilësuar në votim. Kjo shpresë u reflektua edhe në kalendarin e parë të punimeve të këtij sesioni, ku mazhoranca u tregua e kujdesshme të përfshijë të gjitha projektligjet, kryesisht kodet të cilët kërkonin bashkëpunimin mes PS-së dhe PD-së për miratim. Por, entuziazmi i mazhorancës ra menjëherë në kushtet kur opozita që në seancën e parë të këtij sesioni deklaroi se ajo nuk do të merrte pjesë në votimin e asnjë projektligji, pa u plotësuar më parë kushtet e saj për sa i përket hetimit të zgjedhjeve të shkuara parlamentare. Kështu, fakti që palët nuk gjetën një konsensus për ngritjen e komisionit hetimor dhe për pasojë, hetimin e zgjedhjeve të shkuara, bëri që konsensusi për ligjet që kërkojnë një shumicë të cilësuar votash të mos gjendej. Teksa i hedh një sy listës së ligjeve të miratuara këto katër muaj nga ana e Kuvendit, shikon se ligjet e miratuara në këtë legjislaturë kanë të bëjnë kryesisht me financat, duke u kurorëzuar me buxhetin e vitit 2011, që mori miratimin e deputetëve të mazhorancës pak javë më parë në Kuvend. Nga ana tjetër, ligjet e tjera të miratuara janë nisma rregullatore dhe amendime të ligjeve të ndryshme, të cilat kanë si funksion harmonizimin e legjislacionit shqiptar, por janë larg nga ato të ashtuquajturat reforma që vendi ynë duhet të kryejë në kuadër të integrimit në Bashkimin Europian. Më të penalizuarit janë kodet, të cilët nuk po arrijnë të amendohen për shkak të numrit të madh të votave që kërkojnë për miratim. Por nga ana tjetër, pa miratuar kanë ngelur edhe ndryshimet në ligjin e Shërbimit Informativ Shtetëror, dhe kjo jo për shkak të numrit 84 të votave, por për shkak të mosmarrëveshjeve brenda koalicionit qeverisës për këtë çështje dhe për faktin se NATO dhe OSBE kërkojnë konsultim për amendimin e ligjit të SHISH-it. Por, mosgjetja e një kompromisi mes PS-së dhe PD-së për sa i përket hetimit të zgjedhjeve të shkuara, solli mos hartimin e asnjë amendimi për reformën e ardhshme zgjedhore, e cila është një nga kushtet kryesore të ndërkombëtarëve për zgjedhjet e ardhshme vendore. Nga ana e opozitës është bërë e qartë se nuk do të votojë për amendimin e Kodit Zgjedhor, për aq kohë sa nuk do të ketë një zgjidhje të kënaqshme për të për sa i përket hetimit të zgjedhjeve të shkuara.