E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjendet i vrare nje 60-vjecar dyshohet per vetevrasje

Peqin Policia vijon hetimet, shoqërohen disa persona

Gjendet i vrarë me armë zjarri një 60-vjeçar nga Peqini, ndërkohë që rrethanat mbeten ende të paqarta edhe për grupin hetimor. Policia po punon në pistën e vetëvrasjes, megjithëse deklarohet zyrtarisht se nuk përjashtohet mundësia e ndonjë krimi të mundshëm. Sipas burimeve zyrtare të policisë, rreth orës 15:00, është gjetur i pajetë 60-vjeçari Ali Ibaj. Viktima është gjetur në lokalin e tij, pranë lagjes “Çezmë”, pranë stacionit hekurudhor të Peqinit. Kanë qenë banorë të zonës, ata që kanë lajmëruar policinë, pasi kanë dëgjuar një krismë arme që vinte nga lokali në pronësi të 60-vjeçarit. Policia ka mbërritur në vendngjarje brenda pak minutash dhe ka gjetur Ibajn mes një pellgu gjaku. Nga këqyrja e trupit të viktimës, mësohet se viktima ka gjetur vdekjen si pasojë e një plage të shkaktuar nga një armë zjarri pistoletë. Arma është gjetur pranë viktimës dhe policia e ka sekuestruar tashmë në cilësinë e provës materiale. Ndërkohë, policia ka qenë tepër e rezervuar për të sqaruar rrethanat e ngjarjes. Fillimisht u mendua se bëhej fjalë për një vetëvrasje, por për shkak të rrethanave, nuk po përjashtohet mundësia e një krimi. Zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Elbasan, Valbona Begu, ka deklaruar se ende po punohet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Për momentin policia ka shoqëruar disa persona, mes tyre pastruesen e lokalit dhe 2 klientë që policia ka gjetur në vendngjarje. Grupi hetimor i ngritur për këtë ngjarje po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›