E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli i Vlorës: Burg përjetë Kastriot Jaupit

Vendimi Vrasësi i major Ilir Ngresit do të “jetojë” përgjithmonë në burg

Gjykata e Apelit të Vlorës ka vendosur dje të lërë përjetësisht pas hekurave të burgut Kastriot Jaupin, i njohur si atentatori i major Ilir Ngresit, ish-shefit të Krimeve të Beratit dhe Vlorës, dhe i dënuar për këtë krim me burgim të përjetshëm nga Shkalla e Parë e Vlorës. Jaupi është arrestuar disa kohë më parë në Spanjë dhe u ekstradua në Shqipëri në muajin tetor të vitit 2008, ndërsa pas ardhjes në atdhe kërkoi që të rigjykohej, me arsyetimin se nuk kishte marrë pjesë në seancat gjyqësore. Në seancën e djeshme gjyqësore nuk mori pjesë, duke ia lënë përfaqësimin një avokati, ndërsa i kërkoi gjykatës një masë dënimi më të butë. Nga provat e paraqitura në seancë, trupi gjykues la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, duke e dënuar Kastriot Jaupin me burgim të përjetshëm.
Kastriot Jaupi, i lindur në Berat më 1975-n, është gjykuar në mungesë pranë Gjykatës së Vlorës, e cila me vendimin numër 143, të 4 korrikut 2003, e ka dënuar atë me “burgim të përjetshëm” për krimin e “vrasjes me paramendim në rrethana cilësuese” në bashkëpunim. Këto vepra penale Jaupi, sipas vendimit, i ka kryer kundrejt major Ilir Ngresit në shtator të vitit 2000, ku si pasojë ish-shefi i Krimeve të Beratit mbeti i plagosur. Në dhjetor të po këtij viti, major Ngresi nuk mundi t’i shpëtonte atentatit, duke mbetur i vdekur me një sërë plumbash në trup në qendër të Vlorës. Jaupi kishte si bashkëpunëtor një tjetër person, i cili mbeti i vrarë disa kohë më vonë. Pas krimit ndaj Ngresit, dy atentatorët mundën të largohen, duke iu shpëtuar prangave të policisë. Në bashkëpunim me prokurorinë, policia zbardhi ngjarjen, duke i identifikuar dy atentatorët, dosjen e të cilëve e dorëzuan pranë Gjykatës së Vlorës, që i dënoi në mungesë me burgim maksimal.
Kastriot Jaupi u arrestua në Madrid, në tetor të vitit 2001 pas një denoncimi për “gjobëvënie” të dy biznesmenëve shqiptarë nga qyteti i Skraparit me banim në Spanjë. Për këtë vepër penale, Jaupi u dënua atje me nëntë vite burg. Ai u ekstradua në Shqipëri në tetor të vitit 2008, për të vuajtur dënimin me “burgim të përjetshëm” dhënë nga Gjykata e Vlorës.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›