Ekspertiza: Romeo Leka nuk është i sëmurë mendor
Romeo Leka, i akuzuar për grabitjen me armë të një banke dhe rrëmbimin e mbajtjen peng të një vajze në kryeqytet, është vizituar në spitalin psikiatrik, por rezulton se ai nuk ka probleme mendore. Të vetmet shqetësime që ka, i vijnë nga përdorimi i drogës, pasi ekspertët tregojnë se ai ka mbi nëntë vjet që është përdorues i lëndëve narkotike. Konkluzionet kanë dalë nga Mjekësia Ligjore, pasi prokuroria dhe gjykata e kishin kërkuar një gjë të tillë, duke ngritur dyshime për gjendjen mendore të tij. Pak ditë pas arrestimit, ai është shoqëruar nga Paraburgimi 313 dhe për disa orë është vizituar te spitali numër 5. Në atë kohë, burimet hetimore nga Prokuroria e Krimeve të Rënda deklaruan se ende nuk kishin marrë një përgjigje të analizave për shëndetin e Romeos. Por tashmë, nga verifikimet e kryera dhe nxjerrja e analizave, rezulton se ai është i shëndetshëm mendërisht. Ai ka shfaqur shqetësime dhe sjellje të pakontrolluara nën efektin e lëndëve narkotike. Sipas ekspertëve, kjo vjen për shkak se që prej moshës 16-vjeçare, është përdorues i rregullt i drogave të forta. Këto analiza pritet të dërgohen pranë Prokurorisë për Krimet e Rënda, e cila po dokumenton dosjen në ngarkim të 25-vjeçarit. Romeo Leka, i riu që grabiti bankën dhe mori një peng, jetonte i vetëm në Shqipëri, pasi familja e tij jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që nga viti 1998. Sipas policisë, familja Leka ka shkuar atje nëpërmjet lotarisë amerikane. Kreu i uniformave blu të Tiranës deklaroi se 25-vjeçari është arrestuar disa herë në SHBA për “trafik dhe shpërndarje të lëndëve narkotike”, “vjedhje me armë”, “vjedhje banke” dhe për “posedim të armëve të zjarrit dhe municioneve luftarake”. Po sipas tij, në gusht të vitit 2007, Leka është deportuar nga autoritetet e emigracionit të SHBA-ve dhe ka jetuar te të afërmit në qytetet Durrës, Kavajë, Burrel dhe Tiranë. Sipas policisë, ai është parë disa herë nga persona të ndryshëm në një nga lokalet e zonës së ish-Bllokut dhe mendohet se ka pasur një dhomë me qira në Shkozë. Përveç grabitjes dhe rrëmbimit, Leka është i dyshuar si autor i vjedhjes me armë, të mbetur në tentativë, të filialit të “Union Bank”, e ndodhur pak ditë para pengmarrjes në rrugën “Ali Demi” në Tiranë, si dhe i tentativës së vjedhjes me armë, ndodhur pas bankës, në Unazë të Re në Tiranë, kur ka marrë peng një taksist dhe ka tentuar që me forcë t’i marrë makinën. Ai dyshohet për një sërë veprash të tjera penale si në Shqipëri, ashtu edhe në vende të tjera. Romeo Leka dyshohet se është personi që ka vrarë në Greqi një emigrant shqiptar nga Kukësi.
#