E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eurot false, lirohen katër nga të arrestuarit

Masat Gjykata dha detyrim paraqitjeje për tre të dyshuar dhe “arrest shtëpie” për një tjetër

Lirohen 4 nga 14 të arrestuarit për eurot false. Gjykata e Tiranës ka liruar nga burgu katër prej tyre, ndërkohë që dhjetë të tjerë janë vlerësuar me masën e sigurisë “arrest me burg”. Ata janë paraqitur dje për vlerësimin e masës së sigurisë, pasi akuzohen për falsifikimin e 73 mijë eurove. Gjykata ka vendosur që Idajet Gatali, 41 vjeç, të vlerësohet me masën e sigurisë “arrest shtëpie”, ndërkohë që Gjergj Gjinaj, 43 vjeç, Kurtali Bilbili, 56 vjeç dhe Nuredin Bishami, 48 vjeç janë lënë me “detyrim paraqitje. Pjesa tjetër e grupit, bashkë me personin e 14 të arrestuar dy ditë më vonë, janë lënë në “arrest me burg”. Prokuroria ka kërkuar për të gjithë të njëjtën masë sigurie, por duke vlerësuar materialet në ngarkim, gjykata ka vendosur lirimin e katër prej tyre. Nga hetimet e kryera rezultoi se grupi kriminal drejtohej nga shtetasi kosovar Avni Hajrullau dhe shtetasi maqedonas Kemal Rexhepi. Policia shpjegoi se ato prodhoheshin në Rumani dhe merreshin nga Rexhepi, i cili nga Maqedonia i transportonte drejt Tiranës. Në momentin e arrestimit, 35 mijë euro u kapën në një lokal te stadiumi “Qemal Stafa”. Ndërsa 38 mijë euro iu kapën dy maqedonasve, të cilët po vinin nga Elbasani në drejtim të Tiranës. Burimet nga grupi hetimor shtuan se një denoncim për eurot e falsifikuara është bërë më 20 mars të këtij viti, nga një qytetar nga Kukësi. Sipas të dhënave hetimore, ai kishte këmbyer para me euro për disa pagesa, pasi kishte gruan të shtruar në spital. Në momentin që ka bërë pagesën me euro, është zbuluar që ato ishin false. Pas këtij akti, ai ka denoncuar në polici dhe i janë bllokuar eurot.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›