Dy policët, hetime edhe për dekonspirim ndaj antidrogës
Skandali me dy punonjësit e policisë të arrestuar disa ditë më parë në Tiranë, duket se po merr përmasa edhe më të mëdha, pasi dyshimet për ta rriten edhe më shumë se kanë bashkëpunuar me elementë kriminalë. Dyshimet e fundit të grupit hetimor kanë të bëjnë me implikimin e tyre në dështimin e disa operacioneve nga antidroga, sa i përket shpërndarjes së lëndës narkotike në shkolla. Policia dhe prokuroria kanë dyshime të forta se ata mund të jenë implikuar në tre-katër raste, ku kanë njoftuar kontingjentin kriminal për operacione mbi identifikimin dhe kapjen e shpërndarësve nëpër shkolla.
Faktet e fundit kanë dalë në dritë gjatë hetimeve që po kryhen në bashkëpunim me SHKB-në, ndërkohë që prokuroria ka kërkuar zyrtarisht tabulatet e telefonave të tyre pranë kompanisë celulare, me të cilën ka kontratë policia, për të gjitha rastet, ku ata dyshohen se kanë dhënë informacion. Gjithçka për grupin hetimor mbetet në kuadrin e dyshimeve, pasi në asnjë nga rastet nuk ka pasur hetim të mëparshëm. Nëse këto vërtetohen nga grupi hetimor, atëherë pritet që dy punonjësve të policisë, Preng Frroku dhe Besnik Preni, t’u shtohen akuza të tjera, veç asaj të korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës.
Deri tani, veç rastit të dokumentuar nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Tiranës, ku ata kërkonin nga një person me precedentë penalë nga 300 mijë lekë të vjetra çdo javë, ata po hetohen edhe veçmas për dy raste të goditjes së grupeve kriminale. Bëhet fjalë për operacionin “Hijet e natës”, për të cilin dyshohet se Besnik Preni jepte informacione të klasifikuara policore, me qëllim që të fshinin gjurmët për aktivitetin kriminal. Ndërsa Preng Frroku po hetohet për lidhjet e tij me një tjetër grup hajdutësh, por që merreshin me grabitjen e makinave.
Duke punuar për dokumentimin e plotë të veprave penale të dy punonjësve të policisë, Preng Frroku dhe Besnik Preni, grupi hetimor ka zbuluar se ata nuk zhvatnin para vetëm nga hajdutët e Kombinatit, pasi nga ana tjetër kishin ndërtuar një grup edhe më të fortë. Sipas të dhënave, duke punuar për një kohë të gjatë me kontingjentin kriminal, kishin njohur shumë hajdutë, që më parë i kishin përdorur edhe si informatorë. Të gjithë hajdutët, të cilët vepronin dhe jetonin në zonën e Komisariatit nr. 3 i kishin grupuar, duke bërë 14 veta bashkë, në formën e një ushtrie. Për këtë arsye, atyre u kishin premtuar siguri që mos të preken nga policia, por në këmbim u kërkonin të gjithëve bashkë nga 300 mijë lekë të vjetra në ditë. Për këtë kishin rënë dakord dy palët dhe grupi i hajdutëve e kishte forcuar punën e vet në linjat urbane nga qendra e Tiranës te QTU-ja. çdo mëngjes mendohet se policët takoheshin me krerët e grupit dhe atyre u jepeshin “detyrat” e ditës. Nëse kishte ndonjë aksion nga policia, i njoftonin që atë ditë të mos dilnin për të vjedhur.
Siç është publikuar edhe më parë, sipas të dhënave hetimore, veç Prenit, që dyshohet si informator i “Hijeve të natës”, të cilët merreshin me grabitje kasafortash, mendohet se edhe Preng Frroku, i arrestuari tjetër, informonte një grup nga Shkodra, që vidhte makina në Tiranë dhe që ishte kthyer në tmerr për policinë. Nga faktet e mbledhura dyshohet se ai ka qenë i lidhur me tre persona që u goditën gjatë një operacioni në muajin nëntor të vitit 2009. Ky bashkëpunim me ta duket se ka ardhur edhe për shkak se Frroku ka punuar për një periudhë të gjatë në Shkodër dhe njohja e tyre ka qenë e hershme. Ai ndihmohej prej grupit të hajdutëve të Shkodrës për të spiunuar rivalët, ku janë bërë dhe disa goditje, por si kompensim dhe për fitim, i lejonte ata që të kryenin vjedhje mjetesh në zona të tjera të kryeqytetit.
#