E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjendet pas një jave 18-vjeçarja e zhdukur

Tiranë “Qëndrova te shtëpia e një shoqeje në Durrës”

Një vajzë 18-vjeçare, e larguar nga banesa që prej një jave, është kthyer dje, duke deklaruar se kishte qëndruar te një shoqe e saj në Durrës. Vajza e re kishte ikur nga shtëpia në Laprakë që paraditen e një jave më parë dhe nuk ishte kthyer më. Burimet policore bënë të ditur se prindërit e Xhulia H., ishin paraqitur pranë Komisariatit nr. 3, duke kërkuar ndihmë për gjetjen e saj. Menjëherë, policia ka regjistruar kallëzimin për vajzën e re, ndërkohë që ka marrë në dispozicion edhe një foto të saj. Burimet policore thanë se familjarët e saj janë pyetur nëse kishin pasur konflikt me të, ose për ndonjë lidhje të dyshuar të saj, por ata janë shprehur se nuk dinin asgjë. Për këtë arsye, policia ka nisur hetimet te shoqëria e maturantes, por asnjë nuk dinte se ku kishte shkuar. Për një javë rresht nuk ka pasur asnjë informacion për vajzën e re, deri dje në mesditë, kur ajo është kthyer në banesë. Menjëherë familjarët kanë njoftuar policinë për të tërhequr denoncimin. Më pas, oficeri i policisë gjyqësore ka marrë një deklaratë të vajzës. Ajo është shprehur se gjatë kësaj jave ka qëndruar te një shoqe e saj në Durrës, por policia dyshon se ajo fshihej me një bashkëmoshatar. Gjatë javës që lamë pas, në Komisariatin nr. 3 në Tiranë, bashkë me vajzën e gjetur dje, u larguan nga banesa katër të rinj. Nga kërkimet e policisë, të gjithë u gjetën brenda javës. Tri ditë më parë, një tjetër vajzë është larguar nga banesa e saj në Yrshek. Deri pasditen e djeshme, policia nuk ka mundur ta kthejë në banesë, por ka siguruar informacione se ajo ndodhet brenda Tiranës dhe po punon për gjetjen e saj.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›