Universiteti hap dyert për 700 studentë
BERAT – Universiteti i Beratit hapi dyert dje për qindra studentë që janë regjistruar në degë të ndryshme të saj. Ashtu edhe siç kishte bërë premtimin presidenti i UFO–s, u mundësua që studentët të ulen në auditorë, pikërisht me 1 dhjetor. Vonesa për hapjen e auditorëve u bë për shkak të konfliktit të krijuar ndërmjet përfaqësuesve të universitetit privat, UFO dhe bashkisë për godinën e ish-maternitetit. Bashkia bllokoi punimet, duke mos lejuar që kjo godinë të kthehej në institucion mësimdhënës, pasi nuk kishte marrë as leje për këtë. Punimet që kishin nisur të kryheshin u bllokuan nga ana e policisë. Por sipas burimeve, dyshohet që punimet të jenë kryer më së shumti natën, derisa ambientet janë bërë gati. Më pas janë vënë edhe pajisjet përkatëse dhe dje, ashtu siç kishte lajmëruar edhe vetë presidenti i universitetit, u hapën dyert për 700 studentë. Në këtë universitet do të studiohet në degë të ndryshme, si Juridiku, Letërsia, shkenca ekzakte etj. Ndonëse ish-materniteti u kthye në universitet, problemi i pronësisë së godinës ende nuk është zgjidhur, pasi bashkia pretendon se është e saja. Madje, për këtë qëllim ky institucion ka bërë kallëzim edhe në Prokurorinë e Rrethit. Po dje, specialistë të Higjienës u shprehën se ambientet e ish-maternitetit nuk janë shumë të përshtatshme për të kryer mësim në to. Kjo pasi këto ambiente nuk janë dezinfektuar. d.xh