"Apeli" i fundit për në Champions...!
Barcelona, Juventusi dhe Arsenali presin formalitetin e fundit për t'u futur në fazën me grupe, ndërsa Liverpulit i duhet të japë maksimumin, për të shmangur ndonjë surprizë të pakëndshme. Barça, kampione e Europës në vitin 2006, kur e mundi Arsenalin në finalen e Parisit, fitoi 4-0 në ndeshjen e parë ndaj Visla Kraikovës së luajtur dy javë më parë. Me të njëjtin rezultat fitoi edhe Juventusi në Torino ndaj Artmedia Bratislava. Kjo i lejon bardhezinjtë dhe katalasit të udhëtojnë të qetë në transfertat e sotme. Një punë shumë të mirë ka bërë edhe Arsenali. "Topçinjtë" e Arsen Vengerit fituan 2-0 në Holandë ndaj Tventes, e cila drejtohet nga ish-trajneri i Anglisë, Stiv Meklaren. Kjo i lejon ata të jenë të sigurt në fushën e tyre, pavarësisht se vijnë nga humbja në Premier Ligë, përballë Fulhemit. Arsenali shpreson edhe te rikthimi i mesfushorit spanjoll Çesk Fabregas. Liverpuli, pesë herë kampion i Europës, do të presë Sandartin e Liezhit, pas barazimit pa gola në ndeshjen e parë të luajtur në Belgjikë. "Të kuqtë" janë favoritë të padiskutueshëm dhe kanë, nga ana e tyre, mbështetjen e tifozëve në "Anfild Road", si dhe eksperiencën në Kupat e Europës, ku pas vitit 2000 kanë luajtur tri finale (2 në Champions, 1 në Kupën UEFA). Një dështim do të ishte fatal edhe për arkat e klubit. Liga e Kampioneve ka qenë burimi më i madh financiar i Liverpulit vitet e fundit. "Ne e dimë shumë mirë se sa e rëndësishme është kjo ndeshje, - tha Robi Kin, sulmuesi irlandez i ardhur nga Totenhemi. - Të gjithë duam të luajmë në netët e mrekullueshme europiane. Kam ardhur te Liverpuli për të fituar në Champions, dhe nuk më shkon ndër mend dështimi." Ndërkohë, stadiumi "Velodrom" do të jetë në zi. Jo sepse Marseja është eliminuar, por për respekt të dy tifozëve që humbën jetën duke udhëtuar për në Lë Havre, ku do të ndiqnin skuadrën e zemrës. Në fushën e lojës, marsejezët nuk kanë asnjë vështirësi. Ekipi i Geretsit kryeson kampionatin francez dhe ka fituar 1-0 në ndeshjen e parë ndaj Branit, me golin e shënuar nga Benua Shejru. Ndërmjet "gjigantëve" që synojnë kualifikimin ka edhe disa ekipe të vogla, që janë 90 minuta larg ëndrrës. Qipriotët e Anorthosis Famagusta kanë fituar 3-0 në ndeshjen e parë ndaj Olimpiakosit dhe do të shkojnë për t'u mbrojtur në Athinë. Ndërkohë, Bate Borisov ka fituar 2-1 në Sofje dhe tashmë pret e sigurt Levskin. 90 minuta zjarri (ndoshta më shumë) priten në Madrid dhe Bukuresht. Atletiko do të presë Shalken, pasi është mundur 1-0 në Gjermani, ndërsa Steaua dhe Gallastarajai do ta nisin ndeshjen nga rezultati 2-2 i sfidës së parë në Stamboll. 2-2 është mbyllur edhe ndeshja e parë ndërmjet Fenerbahçes dhe Partizanit të Beogradit. Në takimet e tjera janë të favorizuar Panathinaikosi (ndaj Spartës), Dinamo e Kievit (ndaj Spartakut), Alborgu (ndaj Kaunas) dhe Shakhtjari (ndaj Dinamos së Zagrebit. Ndërmjet Bazelit dhe Gimareshit ka ekuilibër të plotë, pas barazimit pa gola në Portugali, ndërsa Fiorentina do të udhëtojë për në Pragë. Në ndeshjen e parë italianët fituan 2-0 ndaj Slavias.
Liga e Kampioneve
Turi i tretë paraeliminator
Sot
ArtmediaJuventus(0-4)
PanathinaikosSparta P(2-1)
Vizla KrakovBarcelona(0-4)
Nesër
BATELevski Sofje(1-0)
KaunasAlborg(0-2)
Dinamo KievSpartak M(4-1)
Steaua BGallatasaraj(2-2)
FenerbahçePartizan B(2-2)
BazelGuimaresh(0-0)
Atletiko MShalke(0-1)
Dinamo ZagrebShakhtar(0-2)
MarsejëBran(1-0)
OlimpiakosAnorthosis(3-0)
Slavia PragëFiorentina(0-2)
ArsenalTvente(2-0)
LiverpulStandart Liezh(0-0)
Shënim: Skuadrat e kualifikuara fitojnë të drejtën për të luajtur në fazën me grupe të Championsit