Greqi,protesta masive kundër rënies ekonomike
Greqia ndodhet në prag të protestave masive, në një kohë që sindikatat kërcënuan dje se do të vazhdojnë protestat kundër reformave ekonomike të qeverisë konservatore. Sipas tyre, qeveria po shtyp familjet e varfra që janë prekur tashmë nga inflacioni më i lartë në 10 vjet.
Partia në pushtet, Demokracia e Re, e cila u zgjodh sërish në shtator me një shumicë të ngushtë me premtimin se do të modernizonte ekonominë greke, po përballet me një valë pakënaqësish lidhur me reformat për pensionet dhe pagat, ndërkohë që bumi ekonomik ka pësuar një rënie.
Rritja ekonomike u ngadalësua në masën 3.4 për qind në katër mujorin e dytë të këtij viti, në krahasim me 4.0 për qind të së njëjtës periudhë të vitit 2007, ndërsa inflacioni është rritur në masën 4.9 për qind, duke shkaktuar zemërimin e popullsisë.
Ndërkaq, Kryeministri Costas Karamanlis pritet të paraqesë programin e politikës së tij ekonomike më 6 shtator në qytetin verior të Selanikut. Takimi i djeshëm me sindikatat, nuk dha asnjë rezultat. Sipas kreut të sindikatave, Janis Panagopulos, ka një mospërputhje absolute pikëpamjesh, në një kohë që akuzoi qeverinë se me politikat e saj nuk përkrah popullin dhe zhvillimin ekonomik të tyre.