Apeli i gabuar i Serbisë
Sekretari shtetëror në Ministrinë për Kosovën në Qeverinë së Serbisë, Oliver Ivanovic, ka deklaruar se thirrja e serbëve nga ana e Qeverisë së Beogradit për të braktisur institucionet e Kosovës pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës ka qenë e gabuar.
Sipas tij, ka qenë gabim mendimi se tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës do të shkaktojë “dridhje politike”.
“Largimi i serbëve nuk ka shkaktuar bllokim të institucioneve, përkundrazi izolimi i serbëve është thelluar. Efekti i përgjithshëm është negativ dhe se kjo ka mundur lehtë të parashikohet”, ka thënë Ivanovic.
Politikani kontrovers, Ivanovic, ka shtuar se ka qenë shumë me rëndësi që një pjesë e parave të jepen për ndihma sociale në Kosovë, sepse me këto para njerëzit lidhen më shumë për vendin e tyre.
“Kjo, qëndrimin e serbëve do ta bënte ekonomikisht më të qëndrueshëm dhe do të sillte kontakte të pakontestueshme me shqiptarët, me çka do të sillte zbutjen e tensioneve politike dhe do të krijonte lehtësira zyrtarëve për bisedimet rreth Kosovës”, ka thënë Ivanovic, duke shtuar se kjo nuk është realizuar, sepse “është vështirë të thyhen stereotipat të cilat çojnë nga problemi territorial”.