BE e kënaqur me Eulex-in
Zëdhënësja e Shefes së Politikes se Jashtme të BE-së, Maja Kocijancic, ka thënë se Bashkimi Europian është i kënaqur me punën e misionit të BE-së për sundim të ligjit, Eulex-in.
Madje, sipas saj, ka shumë arsye pse Brukseli është i kënaqur me këtë mision.
"Kemi më shumë se 180 verdikte gjyqësore të marra nga gjyqtarët e Eulexit, 34 nga to vetëm në Mitrovicë. Nga ana tjetër, prokurorët e Eulex-it janë përfshirë në 1300 raste, shumica të komplikuara dhe të ndërlidhura me krim të organizuar dhe korrupsion”, ka thënë Kocijancic për Radio Dukagjinin.
Megjithatë, zëdhënësja e Catherine Ashton, Kocijancic ka thënë se jo gjithçka është në dorën e EULEX-it në Kosovë. Sipas saj, iniciativa duhet të ndërmarrin vendorët dhe se janë autoritet lokale ato që duhet të udhëheqin.
“Jemi të vetëdijshëm se pritjet janë të mëdha, por duhet ta dini që Eulex-i është në Kosovë t’u ndihmojë autoriteteve lokale dhe nuk mund të bëjë çdo gjë. Prandaj duhet të punojmë të gjithë së bashku", ka thënë Kocijancic.