“Opozita të votojë ligjet me shumicë të cilësuar”

Viktor Gumi, deputet i PD-së
Deputeti demokrat njëkohësisht sekretar i komisionit të ligjeve për PD-në, Viktor Gumi ka deklaruar dje në mbledhjen e komisionit të ligjeve se sesioni i ri kuvendor do të jetë një ogur prove për opozitën. Në lidhje me kontributin e saj për procesin e integrimit të vendit, Gumi thekson se opozita duhet të jetë konsekuente ndaj deklaratës së bërë se do të votojë në kuvend ligjet me 3/5 të cilat janë kusht i për procesin integrues siç është ngritja e Gjykatës Administrative.
“Unë besoj natyrisht se ky është një shans shumë i mirë, por në të njëjtën kohë përbën edhe gurin e provës për opozitën e cila duhet të bëjë ndryshimin e qëndrimit dy vjeçar të ndodhur pas vitit 2009 dhe këtyre dy viteve që vijnë. Besoj që veçanërisht në rrugën e integrimit dhe në miratimin e këtyre ligjeve që kanë 3/5 e anëtarëve të kuvendit, çështja nuk shtohet se çfarë lëshimesh do të bëhen. Më lejoni t’ju kujtoj që këto ligje kanë natyrë tërësish teknike, mjafton të kujtoj kodin hekurudhor, kodin doganor, kodin ajror ligjet që kanë të bëjnë më funksionimin dhe organizimin e disa institucioneve të cilat kanë tërësish natyrë teknike ashtu sikundër janë ligje të rëndësishme për çështjen e reformës në drejtësi, ligji për Gjykatën Administrative ligji për ndryshime në kodin civil apo kodin penal i cili për mese tre vjet rishtazi ka kontributin e ekspertëve vendas e ndërkombëtar dhe është në trajtën dhe formatin e tyre më të mirë. Në këtë aspekt veçanërisht në miratimin e ligjeve me 3/5, unë nuk e shikoj si një çështje lëshimi. Natyrisht është një çështje e cila është fondamentale për shtetin e së drejtës, është një çështje që është fondamentale për rrugën e integrimit në Shqipëri prandaj dhe kushtetuta kërkon miratimin me 3/5 e tyre. Për sa kohë vullneti politik duhet të shprehet dhe ne presim që në ditët në vijim të këtë një veprim pozitiv aktiv dhe praktik për miratimin e këtyre ligjeve, që është një çështje që mbetet për t’u parë në vullnetin e saj. Opozita është shprehur që po do të jemi për rrugën e integrimit, tani kalon në testin e praktikës”, shprehet Gumi.
Deputeti demokrat thotë po ashtu se mungesa disa vjeçar e opozitës për të votuar në kuvend këto nisma ka qenë kohë e humbur për vendin. Edhe pse në muajin tetor pritet progres raporti, Gumi është optimist për javët e mbetura.
“Mund të rifitohet koha e humbur nëse gjithnjë ekziston vullneti i opozitës”.
Për sa i përket mazhorancës, Gumi thotë se ajo ka të gjithë gatishmërinë për të pritur kontributin e opozitës si dhe për të aprovuar propozimet që mund të bëjë për ligje të posaçme edhe pse ato janë thjesht të karakterit teknik.
“Kjo ka të bëjë me ligjet që janë tërësisht teknike pra kontributi politik nuk është se mund të jepet. Ka ligje, të tillë sikurse Gjykata Administrative të cilat janë çështje sensitive me një rëndësi thelbësore dhe emblematike për reformën në Gjyqësore, por në fund të fundit ato janë akumulatorë të eksperiencës, mendimeve të dhjetëra ekspertëve vendas e të huaj. Natyrisht për sa kohë jemi në komisionet parlamentare vendi është për të propozuar edhe mendime”, tha ai.
Çdo amendim i cili është në përputhje me standardet nuk ka pse të mos reflektohet në dispozitat e projektligjit. Këto dispozita deputeti demokrat i bëri në përfundim të mbledhjes së komisionit parlamentar të ligjeve ku opozita votoi së bashku me mazhorancën marrëveshjen ndërmjet qeverisë shqiptare dhe asaj franceze për shkëmbimin dhe mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar.