E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Edi Rama, përgjegjës për rezultatin e Tiranës dhe 140 mijë votat e munguara në gjithë vendin”

10-09-2011 / Gazeta 55

Kastriot Islami e sheh formulën e organizimit të PS, si të destinuar të dështojë


Sekretari për Çështjet Zgjedhore në Partinë Socialiste dhe njëherazi deputeti i kësaj force politike, Kastriot Islami, e sheh gjithnjë e më larg suksesin politik të PS-së, nën modelin “Rama”. Kastriot Islami, në një analizë të gjatë lidhur me zhvillimet e brendshme politike të PS-së, thotë se partia më e madhe e opozitës vuan mungesën e garancisë elektorale. Ai sjell në vëmendje se vetëm në zgjedhjet e fundit lokale, PS dhe koalicioni i saj, kanë 140 mijë vota më pak se formacioni kundërshtar. Islami fajëson organizimin e strukturave, të cilat sipas tij janë jo funksionale, pasi vendimet merren vetëm nga kryetari i partisë. “Suksesi elektoral i së majtës është gjithmonë në dyshim dhe nuk është i garantuar. PS ka marrë 140 mijë vota më pak se PD-ja në zgjedhjet e 8  majit. Çështja e organizimit të PS-së në këto vitet e fundit ka pasuar shumë mungesa. Unë nuk kam qenë i ftuar në të gjitha mbledhjet e zhvilluara nga PS-ja. Problemi është si të gjendet një zgjidhje që të çojë drejt fitores”, u shpreh Islami. Duke folur për dorëheqjen e Besnik Bares nga drejtimi i degës së PS-së për Tiranën, Kastriot Islami tha se kolegu i tij s’ka asnjë përgjegjësi për humbjen e Edi Ramës, ndërsa llogaridhënia i takon këtij të fundit. “Për humbjen në Tiranë zoti Bare ka zero përgjegjësi. Përgjegjësitë janë të kryesocialistit Edi Rama. Nga komisionerët, këshilltarët socialistë në Tiranë, në minibashkitë e qytetit dhe bashkinë në tërësi, nuk ka asnjë ankesë për manipulim të zgjedhjeve dhe rezultatit zgjedhor. Rezultati ishte negativ, por përgjegjësia nuk është e zotit Bare, pasi PS s’ka pasur aleancë me LSI-në dhe as nuk ka funksionuar koalicioni i partive të majta. Zoti Rama ka përgjegjësi jo vetëm për Tiranën, por edhe për rezultatin humbës në rang kombëtar, atë të 140 mijë vota më pak se koalicioni kundërshtar”, tha ai. Lidhur me rikthimin e PS-së në Kuvend, Islami thotë se ka ardhur koha që t’i hapet rrugë aspiratave të integrimit Evropian të vendit. “Tani që PS ka hedhur një hap pozitiv për të ndërprerë bojkotin unë do të jap kontributin tim maksimal në dy aspekte, në fitoren e Partisë Socialiste dhe në integrimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Do të kontribuoj në çdo hap që e çon Shqipërinë drejt BE. Hapat e Shqipërisë për në BE janë goditje ndaj forcave negative radikale”, deklaroi më tej deputeti socialist, Kastriot Islami.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›