Apeli kthen Shullazin për rigjykim
TIRANE – Emiliano Shullazi dhe Ervin Ferhati, të dënuar në janar të këtij viti me nga 13 vjet burg nga Krimet e Rënda, do të gjykohen edhe njëherë nga “zero” në këtë gjykatë. Vendimi i rikthimit të çështjes në Shkallën e Parë me një trupë të re gjyqtarësh u mor dy ditë më parë nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda. Në konkluzionet përfundimtare të mbrojtjes nga avokatët u kërkua pafajësi për njërin nga të pandehurit dhe kthim për rigjykim për të pandehurin tjetër. Pas verdiktit të togave të zeza të Apelit, shkallës së Parë për Krimet e Rënda i duhet të rigjykojë të pandehurit e akuzuar për “trafik të lëndëve narkotike të kryer më shumë se një herë”. Sipas prokurorisë dy të pandehurit kanë konsumuar disa episode të trafikut të heroinës nga Turqia në Itali.