E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Vejusha e zezë”, mungesa e ilaçeve rrezik për banorët

 

BERAT / DILAVER XHELILI

Merimanga e zezë dhe gjarpërinjtë rrezikojnë jetën e mijëra banorëve në zonat e thella malore të Qarkut të Beratit. Mungesa e medikamentit “Antiviper” në qendrat shëndetësore të komunave shkaktoi vitin e kaluar katër viktima. Për të mos u përsëritur më e njëjta rrezikshmëri, drejtuesit e komunave dhe mjekët bëjnë apel që të furnizohen me këtë medikamentin që përdoret në rastet e pickimeve nga “vejusha e zezë”. Tashmë ka ardhur stina e verës dhe sipas banorëve kanë nisur të vërshojnë gjarpërinjtë dhe merimangat. Më të rrezikuar janë ata që punojnë në arë pasi prania e zvarranikëve të rrezikshëm nëpër të mbjellat e tyre është evidente. Pickimi i mundshëm prej tyre u rrezikon jetën, pasi në qendrat shëndetësore, infermierët nuk kanë asnjë medikament që të luftojë helmin vdekjeprurës. Mjeku Estref Malaj u shpreh dje se serumi “antiviper” (lufton helmin e gjarprit dhe merimangës) mungon në të gjitha qendrat shëndetësore. Komunat më problematike ku vit pas viti janë shënuar raste të pickimeve, e për rrjedhojë edhe viktima janë: Sinja, Tërpani, Vërtop, Potom, Gjerpës etj. Banorët e këtyre zonave në momentin që janë pickuar kanë nxituar të shkojnë nëpër ambulancat e fshatrave apo komunave të tyre. Por mjekët nuk kanë pasur ilaçe që të luftojnë helmin. Për pasojë, sa të transportohet pas disa orësh i pickuari nga merimanga apo gjarpri për në spitalin e Beratit, helmi ka përshkruar trupin, duke rrezikuar jetën e personit. Drejtues të komunave të mësipërme bënë të ditur se disa herë është kërkuar nga mjekët e këtyre zonave të thella, që të pajisen me medikamentin “antiviper”. Kjo kërkesë e tyre është bërë pasi vetë ata janë përballur me situata të vështira, me njerëz që luftonin me vdekjen pas pickimit në arë apo edhe në ambiente të tjera. Tashmë me ngrohjen e motit, gjarpërinjtë kanë vërshuar nëpër këto zona shkëmbore. E njëjta problematikë paraqitet edhe për praninë e vejushës së zezë, e cila ka nisur të dalë në sipërfaqe. Sipas mjekëve të këtyre zonave të largëta (duhen disa orë për të mbërritur nga Berati), ky ilaç që mund të shpëtonte jetën e banorëve mungon. Sipas tyre, kjo ndodh për shkak të neglizhencës të drejtuesve të shëndetësisë. Banorët e këtyre zonave kanë dhënë alarmin duke iu kërkuar institucioneve të shëndetësisë të marrin masa. Një vit më parë në këto zona nga pickimi i merimangës së zezë kanë gjetur vdekjen 4 persona, për shkak se ata mbërritën me vonesë në spital. Mjekët e komunave bëjnë të ditur se nëse ata do ta kishin pasur medikamentin në qendrat e tyre shëndetësore, atëherë do të ishte shmangur vdekja e viktimave, disa prej të cilëve nëna të reja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›