E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafiku i njerëzve, ra 4-fish

 

Armand Bajrami

Trafiku i qenieve njerëzore për shfrytëzim kriminal ka shënuar rënie të dukshme nga viti 2005 e në vazhdim. Lajmi është konfirmuar dje nga ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, në Kongresin "Mbi dinjitetin nuk ka diskutime" në Romë, Itali. Pjesëmarrës në aktivitetin e organizuar nga Komuniteti "Papa Giovanni XXIII" dhe Ministria për Shanse të Barabarta të Republikës Italiane, Alibeaj ka paraqitur një "tablo" të situatës së Shqipërisë lidhur me luftën kundër trafikut njerëzor. Duke përmendur vitin 1990 si vitin e fillesës së trafikut të qenieve njerëzore dhe shfrytëzimit i prostitucionit në vendim tonë ministri i Drejtësisë tha se "grupet kriminale shqiptare u strukturuan menjëherë dhe u kthyen në konkurrentë seriozë të grupeve kriminale të vendeve fqinje në rajon". Sipas ministrit, nga viti 2005 e në vijim është rritur ndjeshëm numri i procedimeve penale për veprat penale të trafikimit të personave, të femrave për prostitucion dhe i të miturve. "Gjykatat shqiptare në vitin 2005 kanë gjykuar 40 raste të tilla, nga të cilat në 26 raste janë aplikuar dënime që variojnë nga 10 deri në 25 vjet burgim dhe në 1 rast është dhënë dënimi maksimal me burgim i përjetshëm", ka pohuar Alibeaj përpara homologëve italianë. "Në vitin 2006, evidentohet një rënie, por kjo figurë krimi është përsëri ndër më të lartat me 23 raste dënimi, nga të cilat për 12 raste janë aplikuar masa dënimi nga 10 deri në 25 vjet burgim. Në vitin 2007 rezulton se janë dënuar 10 raste për këtë vepër penale, në 3 prej të cilave janë aplikuar dënime nga 10 deri në 25 vjet burgim. Në vitin 2008, janë dënuar 15 raste, në 9 prej të cilave janë aplikuar masa dënimi nga 10 deri në 25 vjet burgim", ka shtuar ministri. Në "panoramën" e paraqitur në Kongres Alibeaj ka sqaruar edhe rregullimet në kuadrin ligjor të shteti shqiptar në rritjen e luftës ndaj trafikut. Ai ka përmendur krijimin me ligj të Gjykatës për Krimet e Rënda në dy nivele në vitin 2004 në Shqipëri, si edhe strukturimin e zyrave të prokurorisë pranë tyre. Shqetësues u cilësua nga Alibeaj fakti i rritjes së trafikimit të brendshëm të grave dhe fëmijëve, kryesisht për prostitucion dhe shfrytëzim të krahut të punës, veçanërisht në zonat e reja jo formale të qendrave urbane. 

Gjykimet për trafikun

Viti 2005
40 raste të gjykuara
Viti 2006
23 raste të gjykuara
Viti 2007
10 raste të gjykuara
Viti 2008
15 raste të gjykuara

Reforma kundër krimit të organizuar
ITALI – Alibeaj tha dje se në fillesat e trafikut njerëzor në Shqipëri, në vitet e para të tranzicionit, reagimi shtetëror ka qenë i dobët. “Fillimisht reagimi shtetëror ndaj situatës kriminale ka qenë në disproporcion të hapur dhe i penguar nga mungesa e mjeteve financiare, mungesa e njohjes në thellësi të fenomenit, nga korrupsioni dhe format dhunës psikologjike që ushtronte situata kriminale”, pohoi Alibeaj. Ndërsa aktualisht ministri deklaroi përputhjen e situatës ligjore me standardet ndërkombëtare të pranuara nga Shqipëria. Alibeaj përmendi si shumë të vlefshme Konventën e Kombeve të Bashkuara kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar dhe dy protokollet shtesë të saj; Konventën e Këshillit të Evropës “Për Masat kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore”; Protokolli Opsional i Konventës së OKB-së “Për të Drejtat e Fëmijëve për Shitjen e Fëmijëve, Prostitucionin e Fëmijëve dhe Pornografinë e Fëmijëve”; Konventa e Këshillit të Evropës “Për mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi dhe abuzimi seksual”.   ar.ba 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›