E Diel, 1 Nëntor 2026

U qëllua për pronën në Plazh, vdes 39-vjeçari

 

DURRES – Vdes në spital Agron Bodlli, 39-vjeçari i qëlluar me armë zjarri pas një konflikti mesditën e së martës në zonën e Plazhit. Ai ndërroi jetë pas disa orësh në vdekje klinike. Ndërsa autori i ngjarjes, Gani Kapiti vazhdon të jetë person në kërkim, policia e Durrësit prangosi një 42-vjeçar me akuzën e “përkrahjes së autorit të krimit”. Shpend Turku (i dënuar më parë për dëmtim prone), sipas policisë, ka marrë çiften e përdorur nga Kapiti në krim, duke e fshehur atë në një kanal, afro 3 km larg vendngjarjes. Arma e gjuetisë, të cilën Gani Kapiti e zotëronte me leje, është gjetur dhe më pas sekuestruar nga policia e Durrësit, në cilësinë e provës materiale. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur si rezultat i një konflikti ndërmjet autorit dhe viktimës mbasi Agron Bodlli ishte duke ndërtuar një objekt ngjitur me hotel “Drenica”, i cili nga punimet e kryera ka pësuar dëmtime. Për këtë arsye të dyja palët kanë qenë në proces gjyqësor. Ndonëse objekti që po ndërtohej nga familja Bodlli ishte me leje nga Bashkia, kundërshtimet e mëdha të familjes Kapiti kishin të bënin me distancat mes objekteve. Ky është një rast i përsëritur në Durrës, kur konflikti për pronën merr jetë njerëzish. Precedenti i mëparshëm ndodhi në Shkozet më 19 prill të këtij viti, ku mbetën të vrarë shtetasit Shaban Karabrahimi dhe Sadik Lazri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›