Apeli kthen shikuesit në “Qemal Stafa”

Albania Sport- Përfundimisht me shikues. Shqipëria do ta luajë me spektatorë ndeshjen e saj të fundit në shtëpi kundër Bjellorusisënë fushatën kualifikuese Euro 2008. Komisioni Disiplinor i UEFA-s, kishte vendosur para një jave për ta luajtur me "dyer të mbyllura", por Federata Shqiptare e apeloi vendimin pranë Komisionit të Apelit pranë UEFA-s, që ndryshe nga instanca më e ulët e ndryshoi vendimin.
Të enjten presidenti i FSHF-së, Armand Duka udhëtoi për në Nion të Zvicrës, atje ku është edhe selia zyrtare e UEFA-s dhe konsumimi i bisedave të tij telefonike me presidentin e qeverisë europiane të futbollit, francezin Mishel Platini ka dhënë frytet e saj. I vetmi i munguar i madh në ndeshjen Shqipëri-Bjellorusi (17 nëntor) do të jetë trajneri kroat Oto Baric, i cili do të vuajë dënimin edhe për ndeshjen me Rumaninë (21 nëntor). Hera e fundit që Shqipëria kishte luajtur pa shikues ishte ajo kundër Gjeorgjisë (3-2) në fushatën kualifikuese të Botërorit 2006.